Ferizaj.25.08.2017. Këtë të premte kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, i shoqëruar edhe nga drejtori i zhvillimit ekonomik dhe turizmit Shemsedin Sojeva kanë bërë nënshkrimin e kontratës me operatorin ekonomik “Fitorja SHPK”, me pronarë Tahir Malokun për ndërtimin e banesës së re në Ferizaj, ose me sakte afër furrës së Mikelit në Ferizaj.
Me këtë rast kryetari i komunës, Muharrem Svarqa, tha se nënshkrimi i kësaj kontratë po bëhet pas procedurave të shumta që janë bërë për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës. Ai tha se janë respektuar të gjitha procedurat, ligjet, por edhe vendimet e Kuvendit të Komunës, deri sa kanë ardhur deri tek nënshkrimi i kësaj kontrate.
“Unë jam shumë i sigurt që kjo kontratë ka të bëjë me rrënimin dhe ndërtimin e serishëm dhe dhënien në shfrytëzim për 99 vite të ngastrës në vendin e quajtur “Dëshmorët e Kombit” zona kadastrale në Ferizaj me sipërfaqe prej 2471 metra katror për ndërtimin e objektit afaristo-banesor , do të përfitojnë të gjithë, do të përfitojë komuna e Ferizajt, do të përfitojnë të gjithë banorët e atyre komplekseve banesore të cilat tashmë në bazë të studimit të fizibilitetit i nënshtrohen një rrënimi të ngadalshëm i cili paraqet rrezik për banorëve që jetojnë aty dhe të kalimtarëve, sepse janë objekte të stërvjetruara dhe studimi i fizibilitetit ka treguar për domosdoshmërinë e rrënimit të tyre dhe ndërtimin e serishëm në të njëjtat sipërfaqe në të cilat do të përfitojnë banorët”, ka thënë kryetari Svarqa, përderisa ka shtuar se banorët e asaj ndërtese kanë edhe mundësinë e negocimit me operatorin ekonomik në dobi të përfitimit të pronave të tyre.
“Po ashtu prioritetet e banorëve janë për zgjerimin e hapësirave ekzistuese përmes mënyrave të kompensimit me operatorin ekonomik me të cilat procedurat banorët kanë të gjitha prioritete ne raport me blerësit e tjerë. Komuna e Ferizajt, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e këtyre objekteve dhe mungesën e kategorisë estetike të një pamje të qytetit ka gjetur të vetmen mënyrë që përmes procedurave të Kuvendit që në vend të ndërtesave të vjetra të ndërtoje banesa të reja, në një afat shumë të gjate të sigurisë dhe me një afat të gjatë të qëndrueshmërisë”, është shprehur kryetari SVarqa.
E nga ana tjetër Tahir Maloku, pronar i kompanisë ‘Fitorja”tha se do të respektohen të gjitha kushtet dhe kriteret që janë të shënuara edhe në kontratë.
“Ne do të bashkëpunojmë edhe me banorët e asaj ndërtese dhe natyrisht do ti respektojmë të gjitha kushtet e kontratës”, ka thënë Maloku.
U bë e ditur se prona për ndërtimin e objektit afariste-banesor do të jetë në shfrytëzim për 99 vite.