Ferizaj.15.03.2018. Pas humbjes së zgjedhjeve lokale, në degën e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj, kanë filluar edhe problemet e brendshme. Nëpër mbledhjet e fundit të kryesisë janë shfaqur pakënaqësi të mëdha të cilat kanë shkuar deri në kërkesën për shkarkimin e Muharrem Svarqës nga posti i kryetarit të partisë. Pavarësisht që palët e pakënaqura nuk po dëshirojnë që këto ankesa të shfaqen edhe në opinion, tashmë të interesuarit kanë marr vesh që disa nëndegë kanë bërë edhe kërkesa me shkrim. Të gjitha këto zhvillime, kryetari i degës së LDK-së Muharrem Svarqa, po i vlerëson si normale dhe po thotë se ato nuk janë të nivelit sa për të konsideruar se ka krizë brenda subjektit që ai drejton. Svarqa, tha se raporti mbi analizën e rezultatit të zgjedhjeve të fundit është miratuar dhe çdo reagim që vjen pas është vetëm një shprehje e lirë e mendimit, ndërsa kujton që ankesat po vijnë pikërisht nga ata që nuk punuan mjaftueshëm.
“Kërkesat e tyre ndoshta janë për justifikimin e mungesës së aftësisë së vet për ta dhënë maksimumin, sepse nuk ka mundësi që dega të fitoj nëse të pakënaqurit kanë rënie të numrit të votave ose nuk kemi fituar ne ato degë dhe sigurisht që donë të gjejnë edhe ngushëllimin e vet me këto, por edhe të tregojnë alternativa të tjera në kuadër të përpjekjeve të faktorizimit individual të tyre. Unë nuk mendoj që LDK-ja duhet të merret me emra të përveçëm, sepse secili individ pavarësisht sa i madh mund të jetë është më i vogël sesa tërësia e Lidhjes Demokratike”, ka thënë Svarqa për Televizionin Tema.
Merret vesh që me kërkesa zyrtare për ta shkarkuar të parin e LDK-së në Ferizaj, tashmë kësaj degës i janë drejtuar dy nëndegët që dikur konsideroheshin bastione të këtij subjekti politik, ajo e Komogllavës dhe e fshatit Greme.
“Brenda statutit të LDK-së nuk ka nëndegë të vogla apo të mëdha, të gjitha nëndegët janë të barabarta. Sipas numrit të votuesve i kanë marr edhe investimet, do të thotë madhësia gjeografike nënkupton madhësinë e numrit të banorëve dhe anëtarëve, por konform ndarjes proporcionale të buxhetit ne i kemi përfill kërkesat e tyre dhe janë realizuar në përpikëri qoftë si ndarje buxhetore, qoftë si përfaqësim të partisë në ushtrimin e funksioneve me rëndësi. Absolutisht këtu unë nuk e ndjejë vetën fajtor, sepse nuk ka mundësi një njeri të jetë as njeriu të cilit mund t’i atribuohen të gjitha rezultatet, por as të gjitha fajet. Ne kemi udhëheqje kolektive, kemi punuar bashkë dhe nuk mund të jemi fitues të gjithë ndërsa humbës vetëm një njeri”, u shpreh Svarqa.
Ndryshe, sipas burimeve brenda këtij subjekti politik, iniciatori për shkarkimin e Svarqës nga pozita e kryetarit të degës është Faik Grainca, pas të cilit janë rreshtuar edhe disa anëtarë të tjerë, transmeton Televizioni Tema.
Must Read