26,11,2024

Në shkollën Teknike “Pjetër Bogdani” bëhet përurimi i kabineteve, donacion i Komisionit Evropian (Foto)

Must Read

Ferizaj.18.09.2017. Shkolla e mesme profesionale “Pjetër Bogdani” në Ferizaj, ka fituar një donacion në vlerë prej 100 mijë eurove nga Komisioni Evropian dhe Qeveria e Austrisë.

Projekti i quajtur ALLED ka të bëj me pajisjet e sistemet mekatronik, të cilat për herë të parë vijnë në Kosovë.

Përfaqësues të Komisionit Evropian dhe të Qeverisë austriake, thanë se nëpërmjet këtyre donacioneve po tentojnë që të rinjtë kosovarë t’i aftësojnë për tregun e punës.

“Ne duam që të përmirësojmë kualitetin dhe mësimin në terrene më praktike, duam të sigurojmë për vizionin dhe programet që kemi selektuar, në bujqësi, në teknologji dhe mekatronikë dhe shkolla e juaj “Pjetër Bogdani”, e cila është zgjedhur në Kosovë me idenë e sigurimit me materiale më moderne mësimore që ju nxënës mund t’i përdorni dhe gjithashtu që të ngriten kapacitetet e të gjithë mësuesve që janë këtu që të aplikojnë metodologji të re, e kuptoj që është hera e parë që teknikat mekatronike do të jenë këtu në Kosovë dhe do të jenë në gjendje që të trasmetojnë aftësitë e tyre tek studentët, kështu që mendoj se është diçka mjaftë e mirëseardhur dhe jemi shumë të lumtur që e bëjmë këtë në shkollën e juaj”, tha Riccardo Serri, përfaqësues i Komisionit Evropian.

“Austria i ka dhënë përkrahje edukimit në Kosovë për shumë vite dhe ne po e bëjmë këtë sepse jemi të bindur se edukimi është një çelës për zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovës dhe të rinjtë janë burimet më të fuqishme që Kosova ka, njerëzit energjik këtu në Kosovë janë potenciali më i mirë për të ardhmen e Kosovës dhe ne dëshiruam që të asistojmë këta të rinj që të përmbushin potencialin e këtyre mundësive”, tha ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler.

Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi, tha se përmes investimeve të tilla i jepet shtytje reformimit të arsimit, në veçanti atij profesional, për të cilin Kosova ka nevojë të domosdoshme, duke bërë thirrje që këto kabinete të shfrytëzohen maksimalisht nga nxënësit dhe mësimdhënësit.

“Këto dy kabinete në dy shkolla të arsimit me aftësi profesionale “Pjetër Bogdani” në Ferizaj dhe “Jonuz Zjenullahu” në Viti, të cilat po i promovojmë sot si donacion nga projekti “Alled”, janë mundësi të mira të cilat uroj që ju nxënës t’i shfrytëzoni maksimalisht, kabinetet do t’u mundësojnë një kombinim të mësimit teorik me atë praktik që na ka munguar në Kosovë e që është një komponent i rëndësishëm për përgatitjen tuaj, prandaj mos hezitoni, bëni pyetje mësimdhënësve, zhvilloni aftësitë e juaja, krijoni kreativitet në këto objekte dhe bëhuni të denjë për tegun e punës tonë, në këtë mënyrë ju të rinj do të bëheshit zot të vetës, kontribues për familjet e juaja dhe të dobishëm për shoqërinë tonë”, tha Shyqiri Bytyqi.

Edhe drejtori i Arsimit në Ferizaj Muhamet Halili, e vlerësoi shumë të rëndësishëm këtë donacion duke u shprehur i gëzuar që këto pajisje erdhën pikërisht në Ferizaj.

“Tani nxënësit e kanë mundësinë që pjesën e teorisë ta bëjnë edhe në praktikë me pajisje më moderne që janë në hap me tregun e punës dhe të gjithë ata nxënës të cilët do ta kenë mundësinë që të jenë pjesë e këtij programi do të aftësohen dhe të jenë të gatshëm që nesër të bëhen inxhinierë të mirë dhe të jenë të gatshëm për tregun e punës”, tha Halili.

Ndërsa, drejtori i shkollës Pjetër Bogdani” Isuf Çalaj, tha se këto pajisje i aftësojnë nxënësit që në të ardhmen të bëhen programer të makinave kompjuterike.

“Këto gjenerata nëse i përdorin këto pajisje dhe aftësohen mirë, atëherë do të jenë programer të makinave me dirigjim kompjuterik, këto janë makina ku bëhet përpunimi i metaleve të ndryshme, përpunimi i pjesëve të ndryshme makinerike dhe të gjitha bëhen vetëm me anë të programimit apo kompjuterimit”,tha Çalaj.

Ky projekt i cili ka filluar në shkurt të vitit 2015 u përkrah edhe nga Gjermania, Norvegjia e Luksemburgu, transmeton Televizioni Tema/

- Advertisement -spot_img
Të fundit

30 gra udhëheqëse të agrobizneseve përfitojnë 300 mijë euro grante

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami mori pjesë sot në tryezën tematike "Mundësitë e grave në sektorin bujqësor,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img