Rruga ku gjendet sot Tregu i Gjelbër në Prishtinë, mban emrin e Ilaz Agushit (14 prill 1903-27 tetor 1943) njeriut që ndonëse kishte lindur në një mjedis ku turqishtja ishte gjuhë familjare, ai kultivonte dashuri për gjuhën e kombit.
“Ishte i dashuruar në gjuhën e bilbilave të katundit, siç i quante ai rapsodët popullorë”, kështu e përshkruante profesori Muhamet Pirraku në një shkrim të tij, Ilaz Agushin, shkruan lajmi.net
Rruga me kalldrëm që përshkon përreth pazarin e gjelbër, kumbon nga zhurma e njerëzve ku bisedat kryesisht sillen rreth pazarllëqeve, por që në hyrje dëgjohet muzikë e rapsodëve. Në disa dyqane, folklori përzihet edhe me tallava e muzikë argëtuese shqiptare.
Në Tregun e Gjelbër, përveç produkteve ushqimore, shitet edhe tekstil. Pazargjinjtë janë gjithmonë të gatshëm për të shitur diçka. Porsa ta shohin një person që hedh një shikim kah tezga e tyre, hyjnë me zell në muhabet. “Hajde myshteri, për çka je i interesum”. E kur i pyet për çmim, shpesh të thonë: 12 Euro është çmimi, për 10 merre. Zbritja ofrohet aty për aty.
Në radhët e tyre dëgjohen edhe turli muhabetesh e rrëfimesh që pak rëndësi kanë nëse janë të vërteta apo jo. Qëllimi është të kalohet koha duke ndenjur në tezgat e ftohta gjatë dimrit. “Haxhia kish pas vendos që familja e tij mos me festu Vitin e Ri”, tregon njëri nga ta një sebep. Dy të tjerë dëgjojnë me vëmendje sesi Haxhia mbeti vetëm me plakën e tij në natën e ndërrimit të moteve, pasi djemtë kishin ikur fshehtas te miqtë për të festuar. Kris e qeshura me të madhe. “Boll mirë ia paskan bo”.
Në Pazar shiten edhe tesha të përdorura. Por jo vetëm. Edhe libra të dorës së dytë mund të gjesh aty. Për shembull vepra e Migjenit, “Vargjet e Lira”, me kopertina të ndrydhura e faqe të thyera, mund të blihet për vetëm 1 euro. “Kam edhe shumë libra tjera, por si kam qit sot se ftoft”. “Zgjidhi nja 3-4 edhe t’i jap ma lirë”, thotë shitësi. Në tezgë ka libra shkollorë, romane e studime rreth ekonomisë. Madje edhe në gjuhën angleze. “Qiky ‘Tortura Kineze’ çka ish Allah-Allah. Për myslimanët qysh iu kanë bo tortura”, sqaron më tej. E kur e sheh se myshteriu po ikën, e provon për herë të fundit: Merre Migjenin për 50 cent!
Pak më tej qëndron edhe shitësi i çiftelive e defave. Këto instrumente shiten me çmime nga 10 deri në 50 euro. “Krejt janë t’punume me dorë”, shpjegon ai, teksa pranë tij ofshanë një i moshuar që pret ndonjë myshteri për t’ia bartur gjësendet me karrocë. I mërdhirë por nuk ankohet. “Nom bre po bohet nifar idare”, thotë ky njeri në moshë të shtyrë.
Aty pari është i vendosur edhe një dyqan i simboleve kombëtare dhe enë bronzi. Nuk dëshiron të flas për gazetarët, thotë se nuk don ta teproj me paraqitje në media.
Në fakt, simbolet kombëtare mund t’i gjesh gjithandej pazarit. Të vendosura në rrethoja, të shlyera nga vjetërsia e të përlyera. /Lajmi.net/