Ferizaj.11.10.2017. Gjatë ditës së sotme në fshatin Mirash, ka filluar të bëhet lirimi i hapësirave publike, duke bërë rrënimin e disa murve.
Nga afër këto rrënime i ka përcjellur edhe kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, i shoqëruar nga kryesuesi i kuvendit Faruk Guri, banorë të këtij fshati si dhe bashkëpunëtore të tjerë.
Me këtë rast kryetari Svarqa, është shprehur se investimet që po bëhen në fshatin Mirash kanë munguar nga të gjitha qeveritë e kaluara, ndërsa tani këto investime po bëhen falë buxhetit të komunës , por edhe Ministrisë së Infrastrukturës në mënyrë që të lehtësohet dukshëm edhe jeta e banorëve të këtij fshati.
“Ky fshat ka potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit malor, sepse ka identitete për tërë komunën e Ferizajt, ka një rrjedhe të jashtëzakonshëm që quhet “Kroi i Bunjakit” e cila ka kapacitete për furnizim të ujit të kësaj zone, por edhe zonave për rreth, pas ndërtimit të ujëmbledhësve që do të bëhen në të ardhmen. Ky segment i rrugës lidh cep me cep këtë fshat nga Fusha e Madhe deri në fshatin Cërrnillë, në drejtim të kyçjes së autostradës në fshatin Babush i Muhaxherëve, të cilët projekte kanë qenë të pamundura të realizohen pa shpronësime ose pa heqjen dorë të qytetarëve të këtij lokaliteti nga pronat e tyre publike siç po ndodh tash në këtë rast të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre absolute që të lirojnë me vet dëshire të gjitha pronat e tyre në mënyrë që të realizohet projekte infrastrukturore me këtë rast të kësaj rruge tepër të rëndësishme”, është shprehur kryetari Svarqa.
Ai tutje ka falënderuar të gjithë banorët e këtij lokaliteti që po bëjnë lirimin e hapësirave të tyre publike në mënyrë vullnetare.
“Unë i falënderoj të gjithë banorët të cilët kanë kërkuar që ti sjellin kompanitë që merren me rrënimet që tu pastrojnë muret e tyre në mënyrë që ata të krijojnë mundësi për kalimin pa pengesa të kësaj rruge. Po ashtu u jam mirënjohës të gjithë atyre që po kontribuojnë në sensibilizimin e opinionet qytetarë që të jenë në koherence me realizmin këtyre projekteve, sepse kemi pasur një bashkëpunim të frytshëm dhe të jashtëzakonshëm i cili jo vetëm këtu por në përgjithësi në komunën e Ferizajt ka qenë model edhe për komunat tjera”, ka potencuar kryetari Svarqa.
Nga ana tjetër edhe banorët e këtij fshati i kanë mirëpritur këto investime. Thanë se investime të tilla është dashur të bëhen qysh me parë.
U bë e ditur se gjatësia e rrugës që do të bëhet në fshatin Mirash ka një gjatësi prej 9 kilometrave, ndërsa me gjerësi prej 6 metrave, ndërsa do të ketë shtigje për këmbësore dhe ndriçim publik.