Kremtimi përkon me ditëlindjen e dëshmorit të UÇK-së, Astrit Bytyçi, emrin e të cilit me nder e mban kjo shkollë.
Fillimisht drejtori i këtij institucioni të dijes, Ramadan Ademaj, tha se e themeluar para 7 vjetëve, shkolla “Astrit Bytyçi” ka 600 nxënës, ndërsa theksoi se aty me shumë përkushtim po edukohen brezat një pas një.
Edhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, tha se qeveria që e drejton mbetet e angazhuar që t’i mbështesë shkollat në mbarëvajtje të mësimit. Porositi mësimdhënësit që t’i zbulojnë talentet e rinj, dhe kështu t’u hapin atyre mundësi të reja, që nesër të mund të udhëheqin edhe poste të larta.
“Është një ditë kur të gjithë ne shprehim nderimin dhe krenarinë që kjo shkollë e mban emrin e dëshmorit Astrit Bytyçi, shembëlltyra e të cilit na obligon të gjithëve që të mos kursejmë mundin e djersën, përpjekjet dhe angazhimin, për të qenë në nivel të detyrës, për krijimin dhe avancimin e vlerave të përbashkëta, siç janë arsimimi dhe edukimi cilësor, profesionalizmi, humanizmi e solidariteti.Por kjo gjithashtu është një ditë kur na jepet rasti që të shprehen prirjet e fëmijëve dhe të të rinjve tanë në fusha të caktuara. Jo më kot, shumica e atyre që më vonë bëjnë emër në lëmenj të ndryshëm të artit e të dijes, përmendin bangat e shkollës fillore, kur u paraqitën për herë të parë në skenë. Për ne të rriturit skena si kjo e sotmja, mund të duket një rutinë që harrohet shpejt, por për fëmijët dhe të rinjtë, mund të paraqesë fillin e përcaktimit jetësor, fillimin e një rrugëtimi drejt suksesit dhe së ardhmes si figura publike. Prandaj, kam konsideratë të veçantë për tubimet si ky i sotmi, për të inkurajuar mësimdhënësit, që t’u japin sa më shumë hapësirë fëmijëve dhe të rinjve për t’i shfaqur prirjet e tyre, sepse në këtë mënyrë fitohen dy të mira: edhe nxënësit zbulojnë talentin e vet, edhe mësimdhënësit binden për talentin e nxënësve dhe marrin masa për mbështetjen që duhet t’u jepet në të ardhmen, për shtjellimin dhe përparimin e prirjeve për t’u marrë me profesione të ndryshme”, ka thënë kryetari Svarqa.
Edhe Gafurr Bytyçi, i ati i dëshmorit, tha se amaneti i Astritit mund të jetësohet vetëm duke ndjekur rrugën e tij, në fitimin dhe kultivimin e dijes.
E, bibliotekës së shkollës iu dhuruan tituj librash nga vetë autorët: Ramadan Ramadani dhe Banush Imeri.
Po ashtu, nxënësit e shkollës “Astrit Bytyçi” shfaqën një program të larmishëm kulturo- artistik.
E, në oborrin e shkollës u inauguruan edhe disa investime, një fontanë, drunj dekorativë e të tjera pjesë zbukuruese, të financuara me 4 mijë euro nga komuniteti i prindërve. Më parë, në këtë shkollë u vendos edhe një kënd i lojërave, i mbështetur me 1 mijë euro nga drejtoria komunale e arsimit në Ferizaj.