22,12,2024

Në Ferizaj shënohet Dita e Mësuesit

Must Read

Ferizaj.07.03.2017. Të martën me një akademi solemne është shënuar 7 marsi-Dita e mësuesit.
Në këtë akademi merrnin pjesë zyrtarë komunal, drejtues të shkollave, por edhe mësimdhënës të shkollave të Ferizajt.
Me këtë rast numri një i qytetit të Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka uruar të gjithë mësimdhënësit për kontributin e tyre të pa shoqe që dhanë për arsimimin e gjeneratave të ndryshme. Ai tha se arsimi dhe edukimi në vendin tonë sot ndodhet para disa sfidave, kapërcimi me sukses i të cilave, do të thotë levë e fuqishme e kapërcimit të vështirësive drejt zhvillimit të gjithëmbarshëm të vendit tonë. Këto sfida janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe tejkalimi i njërës, i hap rrugën, ose e ndihmon tejkalimin e të tjerave.
“Së pari, ngritja e cilësisë së arsimit dhe edukimit, ka qenë nevojë e përhershme, por ajo u bë e pashtyeshme pas publikimit të shënimeve nga organizata ndërkombëtare, të cilat tregonin se vendi ynë nuk qëndron mirë në këtë aspekt. Sot, kur ne po bëjmë përpjekje të vazhdueshme për t’u integruar në bashkësinë e popujve dhe shteteve të Evropës, cilësia e arsimit në vendet e Evropës Perëndimore duhet të jenë pika referimi e krahasimi. Synimi ynë për t’u integruar në Bashkimin Evropian, do të ishte vetëm një dëshirë pa mbulesë, nëse nuk i shtojmë përpjekjet që fëmijët dhe të rinjtë tanë t’i arsimojmë me cilësi të përafërt me vendet që tashmë janë anëtare të këtij bashkimi. Së dyti, përshtatja e planeve dhe programeve shkollore me nevojat e vërteta të nxënësve, për t’i përvetësuar njohuritë dhe shkathtësitë e nevojshme për punë në profesionet e zgjedhura. Përgatitja profesionale e të rinjve për t’i zotëruar profesionet që ata zgjedhin gjatë shkolloimit të mesëm, nga këndvështrimi im, është nevojë e ngutshme. Rritja e vëllimit të punës praktike dhe e aftësimit për punë, sidomos në shkollat profesionale, është aspekti më i rëndësishëm i përgatitjes së fëmijëve dhe të rinjve për profesionet e zgjedhura dhe njëkohësisht është përgatitje e tyre për jetë. Së treti, hulumtimi më i drejtpërdrejtë i tregut të punës në Ferizaj dhe në Kosovë, i nevojave të tregut dhe përshtatja e planeve dhe programeve mësimore me këto nevoja, gjithashtu paraqet një nga detyrat e ngutshme. Çdo vazhdim i mëtejshëm i shkollimit për profesione, për të cilat tashmë ka mijëra të diplomuar të papunë, do të ishte rritje e vetëdijshme e problemeve të zhvillimit në vendin tonë. Së katërti, hulumtimi i tregjeve të punës në vendet perëndimore dhe ndërlidhja e kurrikulave me nevojat e atyre tregjeve, nga këndvështrimi im, është një nga detyrat me përparësi. Dhe së fundi, mobilizimi i nxënësve, arsimtarëve, prindërve dhe i të gjithë neve që jemi të lidhur me shkollën, është një gjë që nuk pret. Të mendojmë të gjithë se çfarë mund të bëjmë që fëmijët dhe të rinjtë tanë, të arsimohen dhe të edukohen në përputhje me kërkesat e sotme dhe të ardhme që shtron jeta, shoqëria dhe tregu i punës”, ka thënë kryetari Svarqa.
Kryetari Svarqa, tutje është shprehur se pushteti lokal i Ferizajt do t’u ofrojë gjithë mbështetjen e mundshme nxënësve, arsimtarëve, punonjësve të arsimit, prindërve dhe të gjithë atyre që janë të ndërlidhur me shkollën, për ta vënë në vijë të mbarë arsimimin dhe edukimin e shëndoshë e cilësor të fëmijëve dhe të të rinjve tanë.
“Ne kemi qenë të penguar përgjatë shekujve që ta ngrisim dhe ta zhvillojmë shkollimin dhe edukimin e fëmijëve dhe të të rinjve. Por, sot nuk kemi asnjë pengesë që të organizohemi më mirë, të punojmë më shumë dhe ta zhvillojmë arsimin dhe edukimin në nivelin që e kërkon koha. Këtë gjë e kemi detyrë mbi detyra, sepse kemi të bëjmë me të ardhmen e shoqërisë dhe të vendit tonë”, është shprehur ai.
Të pranishmit me këtë rast i ka përshëndetur edhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, Muhamet Halili me ç’rast ka bërë edhe një përmbledhje të shkurtër të arsimit ferizajas.
Në fund të kësaj akademie u ndan mirënjohje edhe për dy mësuesit të cilat në vitit 2016 dolën në pension. Ndërkaq në fund u shfaq edhe një program kulturo-artistik i përgatitur për këtë ditë.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img