Në prag të fushatës zgjedhore, Komisioni Komunal Zgjedhor në Ferizaj, njoftoi se në këtë komision kanë arritur emrat e 1985 personave që partitë politike i kanë nominuar si komisionerë.
Shaban Rexha nga ky komision, tha se KKZ-ja është e gatshme që ta përcjell edhe fushatën zgjedhore të partive polike, e cila me aktivitete të shumta do të nisë qysh nesër.
Këto zgjedhje të parakohshme po shihen sfiduese edhe nga KKZ-ja e Ferizajt.
“Vështirësi më të madhe themi se kemi në afatet e shkurta kohore, afate të cilat po na shkaktojnë edhe aktivitete të ngjeshura, ku brenda një dite të kemi shumë aktivitete. Pastaj janë edhe subjektet politike të cilat po përballen me një afat të shkurt me përpilimin e listave, pastaj edhe çështjet teknike, ne jemi të vendosur në katin e katërt, ku personat me aftësi të kufizuara po e kanë shumë të vështirë qasjen”, theksoi Rexha.
Në Komisionin Komunal Zgjedhor thanë se aktualisht janë duke u marrë edhe me regjistrimin e personave me nevoja të veçanta, por edhe të tjerëve që ditën e zgjedhjeve nuk mund të shkojnë nëpër qendrat e votimit për të votuar.
“Nesër është afati për regjistrimin e personave me nevoja të veçanta, një kategori e cila voton në mënyrë të posaçme duke e çuar kutinë e votimit në vendet ku janë ata, d.m.th në spital, në qendrat integruese, por edhe në vendet ku banojnë ata. Jemi në proces të identifikimit të tyre ku po bashkëpunojmë edhe me shoqatat ku disa prej tyre edhe janë të regjistruar”, tha Rexha.
Zyrtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor bën të ditur se votuesit të cilët deri më tani vendvotimin e kanë pasur në shkollën ekonomike në qytet, tash e tutje do të votojnë në gjimnazin “Kuvendi i Arbërit”. / TELEVIZIONI TEMA /