22,12,2024

Në Ferizaj promovohet libri “Atdheu i Dëshmorit”

Must Read

Në teatrin e qytetit “Adriana” në Ferizaj, të dielën është bërë promovimin i librit ‘Atdheu i dëshmorit” kushtuar heroit të Kosovës, Rexhep Bislimi, ndërkaq autor i librit është prof. Dr. Emin Kabashi.
Në këtë promovim merrnin pjesë drejtues të pushtetit lokal të Ferizajt, familjarë shok dhe miq të heroit Rexhep Bislimi.

Në hapjen zyrtare të këtij promovimi të pranishmëve i është drejtuar kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, me ç’rast ka thënë se sot po vendosim edhe një gur në mbar mendjen tonë kolektive për ata që e bënë historinë e re të Kosovës, midis të cilëve shquhet figura e Rexhep Bislimit, njëri nga heronjtë e kohës sonë.
“Kjo është monografia e dytë në Ferizaj, që po promovohet për jetën dhe veprën e Rexhep Bislimit, por gjurmimi, ndriçimi dhe dokumentimi i jetës dhe veprimtarisë së heronjve, dëshmorëve dhe të gjithë atyre që kanë dhënë kontribut për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, do të duhej të jetë i përhershëm. Nga këndvështrimi im, vendi ynë ka bërë kapërcime të jashtëzakonshme dekadave të fundit për ndriçimin e periudhave dhe personaliteteve që e kanë shënuar, ose i kanë dhënë shtytje të fuqishme ndryshimeve rrënjësore në vendin tonë, sidomos në luftën e drejtë për liri dhe pavarësi, por edhe për arsimim e emanicipim shoqëror. Nga një mbamendje e fiksuar përmes krijimtarisë gojore, të bartur gojë më gojë përmes këngëve, tregimeve e legjendave, brenda disa dekadave kemi kaluar në fiksimin e ngjarjeve e të personaliteteve përmes shkrimit të veprave historiografike, monografive, kumtesave, analizave e studimeve, ashtu siç bëjnë popujt e qytetëruar. Përkundër përhapjes marramendëse të teknologjisë së komunikimit, e cila e ka lëkundur praninë e librit në duart e lexuesve, unë vazhdoj të besoj se libri i shtypur, do të mbijetojë edhe për shumë kohë dhe do të jetë burim informacioni edhe në fazat e ardhshme të qytetërimit, si një mik që do t’i ketë edhe më tej dashamirësit e vet. Përmes monografive për heronjtë, dëshmorët, luftëtarët dhe për epokat e historisë, ne do ta kemi një pasqyrë më të qartë se kush ishim, kush jemi dhe si do ta trasojmë të ardhmen tonë”, është shprehur kryetari Svarqa.

Ai tutje ka thënë se pritet që që librat e botuar për heronjtë, dëshmorët, luftëtarët dhe për të kaluarën tonë, të dëshmojnë rrugëtimin plot vështirësi, vuajtje e sakrifica që e kemi kaluar, për të arritur ditët e sotme, kur jemi të lirë për të punuar e krijuar.

“Prandaj, Komuna e Ferizajt është e vendosur për të mbështetur nisma që çojnë kah studimi dhe qëmtimi i fakteve e argumenteve që hedhin dritë mbi të kaluarën tonë të largët e të afërt, në mënyrë që brezat e ardhshëm të kenë dëshmi të shkruar, të dorës së parë dhe ta ndërtojnë historinë mbi fakte të shkruara. Nëse të parët tanë u ballafaquan me fatkeqësi, rrënime e pushtime të pandërprera, që nuk mundësuan shkollimin dhe përhapjen e shkrimit, ne nuk kemi asnjë arsye që të mos e shkruajmë historinë tonë sot. Në këtë pikëvështrim, e shoh edhe librin që po promovohet sot të doktor Emin Kabashit, kushtuar Heroit Rexhep Bislimi.
Nuk dua të hyj në analizën e librit, sepse këtë do ta bëjnë ata që janë kompetentë për ta vlerësuar dhe për t’ia dhënë vendin e merituar. Por dua të theksoj se mirëpres dhe shpreh gatishmërinë për të mbështetur dhe inkurajuar nisma që kanë për qëllim studimin, analizën, kërkimin e hulumtimin e fakteve, që do të hidhnin dritë për të kaluarën e afërt e të largët të vendit tonë, në mënyrë që ta kemi një ide sa më të plotë për të kaluarën. Sepse, në këtë mënyrë, besoj se do t’i bëjmë nder vetes sonë dhe do ta qartësonim më mirë të sotmen dhe të ardhmen”, ka përfunduar kryetari Svarqa.

Të pranishmëve me fjalë rasti i janë drejtuar edhe redaktori i librit Adem Gashi. Po ashtu të pranishmit i ka përshëndetur edhe Kudesi Lama i cili është drejtuar edhe me një kumtesë e cila kishte të bënte me librin “Atdheu i Dëshmorit”.

Me fjalë rasti në këtë promovim libri të gjithë të pranishmëve i është drejtuar edhe veprimtari Ekrem Jashari, i cili ka falënderuar kryetarin e Komunës, Muharrem Svarqa, i cili ka dhënë kontribut të çmuar në daljen e këtij libri, por edhe autorin e librit Emin Kabashin.

Ndërsa vet autori i librit prof.dr. Emin Kabashi, ka thënë se me dëshirën me të madhe ka bërë shkrimin e kësaj libre në mënyrë që të shërbehen gjeneratat e ardhshme dhe të njohën nga afër me të rënët e luftës së fundit në Kosovë.

Emri i Rexhep Bislimit lidhet me formimin e njësive të parë ushtarak të UÇK-së-se dhe krismës së parë të pushkëve të organizuara çlirimtare në Ferizaj dhe rrethinë. Ai ra për të mos vdekur kurrë me 21 korrik të vitit 1998.

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img