Është bërë ndriçimi i sheshit për festat e fundvitit në Komunën e Ferizaj.
Në sheshin e qytetit “Adem Jashari” në Ferizaj, u ndezën dritat e Vitit të Ri në bredhin e madh të vendosur aty për festat e fundvitit. Dritat solemnisht i kanë ndezur drejtoresha e shërbimeve publike dhe emergjencës Mimoza Fazliu së bashku me drejtorët tjerë komunal
Me këtë rast drejtoresha Fazliu, duke i uruar të gjithë qytetarët e Ferizajt për festat e fundvitit, ka thënë se këtë vit po e përmbyllin me mbarësi e të arritura.
“Sot kemi një kënaqësi të përbashkët, ku me një akt simbolik kemi ndezur dritat e bredhit në sheshin e qytetit. Dekorimin e qytetit e kemi bërë në çdo pjesë të qytetit. Me këtë rast u uroj të gjithë qytetareve festat e fundvitit ,duke filluar nga festa e Krishtlindjeve dhe atë të Vitit të Ri”, është shprehur drejtoresha Fazliu.
Nga ana tjetër qytetarët ferizajas, janë të kënaqur me zbukurimet të cilat janë bërë në qytetin e Ferizajt.
“Vërtetë zbukurimi i qytetit është bërë bukur edhe në qytetin tonë. Përfundimisht është bërë një gjë shumë e mirë dhe po shihet që është një atmosferë tamam festive, me rastin e festave të fundvitit”, është shprehur Labinot Aliu, qytetarë i Ferizajt.
Të njëjtin mendim sa i përket qytetit të Ferizajt, e ka dhënë edhe Liridona Shabani e cila thotë se qyteti Ferizajt, është zbukuruar si asnjëherë më parë.
Bredhi i cili vendoset në sheshin e Ferizajt çdo vit, gjithherë është ndriçuar për nderim të festave të fundvitit, që të gjithë qytetarët të festojnë në harmoni e lumturi. Veç kësaj është dekoruar i gjithë qyteti i Ferizajt. Dekorimi i qytetit këtë vit Komunës së Ferizajt i ka kushtuar 15 mijë euro.