Këtë vit në Ferizaj, Testit të Maturës i nënshtrohen 2375 nxënës.
Paraditen e sotme, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani, kanë pritur ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqeri Bytyqin në vizitën e tij në Ferizaj për të parë nga afër mbarëvajtjen e punës për testin e maturës. Kjo vizitë u realizua në njërën nga qendra e testimit në Ferizaj, gjegjësisht në Gjimnazin e Shkencave të Natyrës “Kuvendi i Arbërit”, shkollë kjo elitare në komunën tonë.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu ka falënderuar ministrin e arsimit për vizitën në këtë shkollë elitare për të parë nga afër procesin e testit të maturës duke siguruar se edhe niveli lokal ka ndërmarr hapa të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë në arsim.
“Falënderoj ministrin e Arsimit, Shyqeri Bytyqi që ka përzgjedhur Ferizajn, ka përzgjedhur një shkollë elitare të Ferizajt, Gjimnazin “Kuvendi i Arbërit”, që me rastin e mbajtjes së testit të maturës të vizitoj nxënësit dhe të shoh për së afërmi se si është duke shkuar procesi i testimit. Nga ajo që pamë, pamë që ky proces është duke u zhvilluar shumë qetë, me kushte shumë të mira, me një komoditet pune për nxënësit dhe urojmë që nxënësit dhe menaxhuesit e procesit, ashtu siç e kanë nisur dhe ta përfundojnë procesin e testimit. Njëkohësisht uroj që nxënësit të kenë sukses. Sot në Ferizaj i janë nënshtruar testit të maturës 2375 nxënës në 9 njësi të administrimit të testit të maturës dhe uroj që të kenë suksesin e duhur. Ajo që unë si Kryetar Komune është që të ketë angazhim edhe më të madh që të krijohen kushte dhe mundësi në mënyrë që të bëjmë atë që më në fund duhet të bëhet, të përmirësohet cilësia në arsim. Tashmë e dimë se një kohë të gjatë kemi pas investime bazike të ndërtimit të infrastrukturës, por është koha e fundit që ne praktikisht të përmirësojmë kushtet dhe të jemi të përkushtuar në ngritjen e cilësisë në arsim. Unë jam i bindur që hapat që kemi marr si Komunë e Ferizajt së bashku edhe me Ministrinë e Arsimit janë hapa në drejtim të reformës e cila do të shpie drejt ngritjes së cilësisë së arsimit në nivel të gjithmbarshëm, por ne kemi përgjegjësinë në nivelin lokal për të cilat unë tashmë kam marr disa nga masat dhe do të jenë edhe masa të tjera që do të prodhojnë efekte konkrete në përmirësimin e cilësisë në arsim” tha Kryetari i Komunës, Agim Aliu.
Në anën tjetër, përkitazi me vizitën e tij në Ferizaj dhe procesin e mbajtjes së testit të maturës, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqeri Bytyqi tha se janë bërë përgatitjet e nevojshme dhe se priten rezultate reale nga ky testim.
“Pas përgatitjeve që janë bërë nga Komisioni Shtetëror i Maturës, sot është dita e parë e testit të maturës. Më lejoni që fillimisht t’i uroj gjithë maturantët që të kenë sukses në testin e maturës dhe gjithë nxënësit që kanë përgatitje të mirë t’i marrin rezultatet e duhura. Ky ka qenë edhe synimi ynë dhe i komisionit që nga fillimi kur jemi marr me këtë çështje që edhe kësaj radhe testi i maturës të jetë një test i suksesshëm në mbarëvajtje ndërsa rezultatet janë ato që së pari kanë dhënë një kontribut mësimdhënësit dhe menaxhuesit e shkollave, padyshim që kanë pas përkrahjen edhe nga Kryetarët e Komunave, gjegjësisht edhe nga Ministria e Arsimit. Ne sot jemi këtu në Ferizaj që për së afërmi të shohim sesi po shkon testi i maturës , falënderoj kryetarin që na u bashkëngjit në shkollën “Kuvendi i Arbërit” që me të vërtet u pa që është një shkollë elite dhe u pa kjo edhe nga forma sesi është organizuar testi. Në klasa u pa një organizim i mirë, një atmosferë e mirë dhe shpresojmë që kështu edhe do të përfundoj. Sot është dita e parë, ne kemi edhe katër regjione, sot është vetëm në Regjionin e Ferizajt, shpresoj shumë që siç ka filluar sot mbarë testi i maturës dhe të vazhdoj edhe nëpër regjione tjera dhe do të kemi një rezultat që faktikisht e dëshirojmë që të gjithë, që të jetë rezultati real. Tutje, ne jemi duke bërë angazhime maksimale që shkollave t’u ofrojmë kushte më të mira, mësimdhënësit të jenë të përgjegjshëm gjatë tërë kohës dhe pastaj në fund kur kemi mbajtjen e një testi , çfarëdolloj testi të jenë ato rezultate më të mira të cilat edhe janë përgatitur” theksoi ministri Bytyqi.
Këtë vit në Komunën e Ferizajt i janë nënshtruar testit të maturës, 2375 maturantë të organizuar në 9 qendra testimi./Ferizajpress