Komisioni Komunal Zgjedhor në Komunën e Ferizajt ka bërë pastrimin listave të votuesve.
Nga 122 mijë votues sa ishin në zgjedhjet e vitit të kaluara, sivjet më 14 shkurt të drejtë vote kanë gjithsejtë 104 mijë 688 votues.
Ky institucion, së bashku me Inspektoratin, Policinë e Kosovës dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, kanë organizuar katër ekipe mobile për ditën e zgjedhjeve, në mënyrë që edhe qytetarët e infektuar me COVID-19 të kenë mundësi ta kryejnë obligimin e tyre.
Shaban Rexha, shef i KKZ-së në Ferizaj, ka thënë se gjatë këtyre ditëve është angazhuar i gjithë stafi për t’i pastruar listat e vjetra të votuesve.
“Ne kemi ngritur katër ekipe mobile dhe jemi në konsultim të përditshëm me Institutin e Shëndetit Publik për sigurimin e listave dhe për sigurimin e regjistrit, me të cilin në ditën e zgjedhjeve ne do të shkojmë nëpër shtëpi, në mënyrë që edhe kjo kategori ta kryejë këtë detyrim ligjor”, ka thënë Rexha.
Edhe Agim Gashi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për regjionin e Ferizajt, ka thënë se janë mobilizuar të gjithë për ta monitoruar procesin e fushatës zgjedhore, por edhe ditën e zgjedhjeve.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka përpiluar planin operativ në bazë të urdhrit operativ, ku gjatë kësaj kohe parashihen detyrat dhe obligimet e njësiteve policore dhe për secilin polic veç e veç. Gjatë kësaj kohe, Policia në bazë të planit operativ do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët dhe parandalimin e veprave të ndryshme penale”, është shprehur Gashi.
Sipas Komisionit Komunal Zgjedhor, në regjionin e Komunës së Ferizajt janë organizuar 134 vendvotime me 44 qendra të votimit nëpër institucione shkollore, transmeton Koha,net.