25,12,2024

Në Cyrihu u hap ekspozita e piktorit kosovar, Emrush Xhemajli

Must Read

Në kuadër të 40-vjetorit të punës së tij artistike, piktori Emrush Xhemajli, me prejardhje nga Komogllava Ferizajt, i diplomuar në Fakulteti i Arteve, Dega e Artit Figurativ, mbrëmë (më 25 maj 2016) hapi ekspozitën e tij të pavarur në njërën nga galeritë e pjesës së vjetër të Cyrihut , në “Kronen Galeri” . Në praninë e artdashësve shqiptarë e zviceranë dhe familjarëve e miqve të piktorit, hapjen e bëri kuratorja, Jona Xhemajli, e bija e piktorit.
Ndërkaq me nga një fjalë rasti, për autorin dhe veprat e ekspozuara u paraqitën piktori dhe kritiku u artit nga Parisi, Gilbert Gardes dhe aktori e regjisori i përmasave ballkanike e më gjer, Ilir Tafa, i cili përveç profesionit të aktorit, menaxhon edhe Universitetin AAB në Prishtinë.
Që të dy folësit vlerësuan lartë veprimtarinë në fushën e artit të piktorit Emrush Xhemajli, si për nga temat që trajton ashtu edhe për nga shtjellimi artistik, përdorimi i ngjyrave dhe teknikave që përdorë.
Një fragment i shpirtit artistik i Kosovës
Aktori Ilir Tafa, ndër të tjera veçoi se : “ shpirti krijues i Emrush Xhemajlit i paraqitur sot në tablotë artistike të tij në këtë ekspozitë është edhe shpirti artistik i Kosovës dhe popullit tonë… Shqiptarët kanë shumë artistë , që kanë lënë gjurmë në botën artistike globale edhe në fushën e pikturës. Ibrahim Kodra ishte njëri prej tyre. Shumë artdashës në botë Ibrahim Kodrën e shohin si ikonën e shqiptarëve në këtë fushë… “
Në materialet prezantuese në ekspozitë mësojmë gjithashtu se Emrush Xhemajli është edhe profesor ne Fakultetin e Arteve ne Universitetin Shtetëror te Tetovës, Maqedoni, ne Universiteti AAB dhe Kolegjin Humanistica (Kosovë) dhe se deri më tash pos që ligjëron në këto universitete, ka hap disa ekspozita personale në Kosovë dhe në shtetet ballkanike por edhe më gjerë në Evropë, duke tërheq interesimin jo vetëm të artdashësve, por edhe të vet kritikëve të artit.
Peizazhe që posedojnë ritëm, perspektivë, kompozicion dhe formë

Kështu kritiku i artit, Dr. Ilir Muharremi, potencon se: “Piktori Emrush Xhemajli në artin e tij individual nuk sjell vetëm parajsën ose ferrin, shpirti i tij është i prekur nga lashtësia e cila dikur kishte ndriçuar dhe ishte tejet funksionale. Kullat, infrastrukturën mesjetare të Novobërdës, funksionin e saj ideal, artisti Xhemajli e ringjalli në peizazhet e tij të cilët posedojnë ritëm, perspektivë, kompozicion dhe formë më trajta të ndryshme. Koloriti dhe hulumtimi i tingujve të ngjyrave të ndezura, demaskojnë psikologjinë postmoderne, edhe pse e kaluara përvishet si një valë e dhunshme dhe shenjat na tregojnë që e kaluara ekziston ajo nuk është pjesë e hiçit, por ndihma për tu ngjitur në shkallët e së ardhmes, dhe këtë të kaluar të fuqishme me një bazë të qëndrueshme, piktori Xhemajli e paraqet përmes kullave, të cilat po të vështrohen mirë nuk janë statike, por lëvizëse dhe të puqura mirë me horizontin i cili pushtohet nga nuanca blu e ftohët dhe të njëjtën kohë krijon lojë me të bardhën, e cila simbolizon plisin, pastërtinë, qefinin e Rugovasëve etj.

Mustafa Ferizi: Ai, mbase e di se arti shpie në parajsë, e politika në ferr!

Nga katalogu ja edhe një shkëputje nga kritiku tjetër i artit, Mustafa Ferizi, që nënvizon se: “Njeriu zakonisht ka një ideal, kurse Emrush Xhemajli, ka dy: pikturën dhe politikën. Ai, mbase e di se arti shpie në parajsë, e politika në ferr, mirëpo gjithashtu e di se arti i krijuar në robëri është ferr…
…Mirëpo, Emrushi nuk hoqi dorë nga idealet e tij jetësore, dhe kudo që u gjendet, në burg, në Zvicër apo gjatë luftës, u mor me pikturë dhe me çështje kombëtare, kurse gjatë viteve 1998-1999, flaku penelin dhe rrëmbeu armën – u kyç në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Thonë: të vetmuarit janë trima. Edhe arti i do guximtarët, trimat i do vetmit dhe vetmitarët, i do madje edhe shpirtrat e rebeluar siç është Emrushi, i cili i rrëmbyer nga një trill i brendshëm, vazhdoi aty ku e kishte ndërprerë Akademinë e Arteve dhe u diplomua për pikturë. Dhe kjo nuk i mjaftoi, por kreu edhe magjistraturën, duke u përcaktuar peizazhin, si plan tematik dhe kreativ…”
Krejt në fund dua të theksoi se shkrimin e parë për bashkëfshatarin tim, Emrush Xhemajli e kam bërë qysh para 40 e sa vitesh kur ai qysh se i ri shquhej me punimet e tij në fushën e artit pamor, madje ai në oborrin fshatit Komogllavë punoj edhe një skulpturë që i qëndroi kohës për dy-tri dekada, e që ishte e rrethuar edhe me një fontanë, të punuar nga bashkëfshatari im tjetër, tash më i ndjerë, Januz Salihu.
Nga autori e kuratorja e ekspozitës mësuam se Emrushi synon ekspozita të ngjashme edhe në qytetet tjera të Evropës, përkundër faktit se punon në kushte tejet të kufizuara.
Sipas kuratores, Jona Xhemajli, ekspozita me rreth 50 piktura do të jetë e hapur deri në fund të këtij muaji në rrugën: Froschaugasse 3/ 8001 Zürich , “Kronen Galeri”.13301429_1094494047259700_2288666336661824432_o

- Advertisement -spot_img
Të fundit

KESCO kërkon që të kursehet energjia elektrike: Gjatë natës ndalni kondicionerët, bojlerët e ngrohëset me rrymë

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka bërë apel gjithë qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike. Margarita Rashiti,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img