Në ambientet e Teatrit “Adriana” në Ferizaj, me një numër të kufizuar të pjesëmarrësve diktuar nga gjendja pandemike, në shënim të jubileut të 80-të të themelimit, u promovua monografia e shkollës fillore “Tefik Çanga” në Ferizaj me autorë Ibrahim Hyseni (Goga) dhe Basri Hasani.
Në emër të Kryetarit të Komunës, Agim Aliu që ishte edhe mbështetës i botimit të kësaj monografie, të pranishmëve iu drejtua me fjalë rasti, drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani.
“Sot është një ditë e veçantë, ditë ku në vitrinën e arsimit ferizajas, po koleksionojmë një vepër voluminoze e me rëndësi të veçantë, siç është monografia kushtuar shkollës “Tefik Çanga” në Ferizaj. E them një vlerë e çmueshme për faktin se si e tillë, dokumenton përpjekjen dekadëshe të qindra mësimdhënësve për të mbajtur gjallë e krenarë, arsimin ferizajas, në njërën nga shkollat model që ishte dhe mbetet siç është shkolla “Tefik Çanga” në Ferizaj.
Por megjithëatë, sot është edhe një ditë dhembje. Një moment prekës kur njërin nga autorët, mbledhësin e dokumentuesin e shumë materialeve për arsimin ferizajas dhe jo vetëm, nuk e kemi në mesin e të gjallëve. Është kujtimi i tij, është vepra e tij që la pas, trashëgimi për gjithë brezat e ferizajasve. Është shumë i respektuari Ibrahim Hyseni (Goga) që me punën e tij të pandalshme vuri themelet e monografisë që kemi para vetes por edhe jetëshkrimin e Ferizajt. Bashkë me kujtimin e tij, veprën e tij të çmueshme përkulemi e nderojmë atë në këtë manifestim të punës së tij.
Sa i përket veprës, natyrisht që kishte dhe do të kenë nisma të tilla, mbështetjen e qeverisjes lokale dhe Kryetarit të Komunës, Agim Aliu. Janë këto, dokumentet që ruajnë gjurmën e kohës që na bëjnë ne dhe të gjithë krenarë për të kaluarën e plot shpresë për të ardhmen. Duke qenë kështu, në emrin e Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu që ishte mbështetës i parezervë i këtij botimi, ju uroj dhe përgëzoj për këtë vepër që natyrisht do të ngelet në fondin e krenarisë së arsimit ferizajas. Këtu, edhe jubileun e shkollës “Tefik Çanga”, vitet e gjata deri tek e sotmja, gjej rastin ta uroj. Pa e zgjatur, duke marr parasysh edhe rrethanat pandemike e kohën e kufizuar të ngjarjeve të tilla, dua të uroj shkollën, mësimdhënësit, prindërit e nxënësit për këtë përpjekje të jashtëzakonshme që bëri të shoh dritën e botimit kjo monografi. Çdo pikë djerse e dhënë për arsimin është investimi më i mirë për brezat, andaj edhe mundi i mësimdhënësve, drejtuesve të shkollës, nxënësve, prindërve e kontributorëve të kësaj shkollë, u shpërblye sot me këtë vepër që rrëfen të kaluarën e rrugën drejt së ardhmes së arsimit tonë” tha mes tjerash drejtori Llabjani.
Me fjalë rasti, të pranishmëve iu drejtuan edhe Sabit Jaha, Enver Zhinipotoku, Skender Hasani, Banush Imeri, nipi dhe mbesa e autorit Ibrahim Hyseni Goga dhe vet njëri nga autorët, drejtori aktual i ShFMU “Tefik Çanga”, Basri Hasani, të cilët shpalosën pjesë nga kjo monografi duke vënë spikamën në rëndësinë që paraqet kjo për arsimin ferizajas.
Autorët e kësaj monografie janë Ibrahim Hyseni – Goga, tashmë i ndjerë për të cilin me nota të larta respekti folën të pranishmit në këtë manifestim si dhe drejtori aktual i shkollës “Tefik Çanga” , Basri Hasani.
Me recenzën e librit, pika muzikore nga nxënës të shkollës “Çesk Zadeja” dhe ekspozitën kushtuar 80 vjetorit të shkollës u mbyll ky manifestim i sotëm.