Në 17 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës dhe Stacioni i Policisë në Ferizajt, kanë hapur dyert për të gjithë qytetarët ferizajas, por edhe nxënësit e shkollave të qytetit tonë.
Të parët që vizatuan Policinë e Kosovës në Ferizajt, ishin nxënësit e shkollës fillore “Jerondim de Rada” si dhe ata të shkollës “Gjon Serreqi”. Policinë e Ferizajt në 17 vjetorin e saj e ka uruar edhe kryetari Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili gjatë paraditës së sotme takoi edhe drejtuesit e policisë.
Me këtë rast kryetari Svarqa është shprehur se dyert e hapura të policisë së Kosovës do të ndikojnë në sensibilizimin të opinionit në drejtim të rritjes së transparencës dhe rritjes së shkallës së bashkpunimit me policinë, si pjesë rrjedhëse e shtetit të Kosovës, një nga institucionet e pavarura që është përgjegjëse për sigurinë e të gjithëve.
“Për sigurinë e të gjithë neve që po bëjmë gjithçka që është e mundur që të rritet shkalla e sigurisë, shkalla e bashkëpunimit me policinë e Kosovës që po ashtu dëshmi e tërë kësaj janë edhe gjithë këto vëzhgime që po bëhen, po nga zyra e kamerave e cila vëzhgon tërë qytetin e Ferizajt. Natyrisht unë shprehi gatishmërinë time dhe të qeverisë komunale që të jemi në shërbim të realizimit të të gjitha objektivave të përbashkëta që kemi, sepse parakusht i realizimit të synimeve është një siguri e lartë, një stabilitet i përgjithshëm shoqëror, për ditë më të mira dhe realizimit të synimeve, drejt synimeve më të madha që kemi edhe si shtet i Republikës së Kosovës”, ka thënë kryetar Svarqa, duke dhënë edhe lëvdata për policinë e Kosovës pavarësisht sfidave të tyre.
“Unë shpreh konsideratën time dhe lëvdatat për gjithçka që po bën policia e Kosovës, dhe në përballjen e të gjitha sfidave me të cilat që sigurisht që ka marr mirënjohjen dhe vlerësimet edhe nga faktori ndërkombëtare dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, sepse sfidat me të cilat është përballur policia e Kosovës në këto vitet e fundit sigurisht që kanë shumë të rënda dhe tepër të vështira, por fal profesionalizmit të tyre të gjitha këto janë realizuar pa ndonjë pasoje”, ka përfunduar kryetari Svarqa.
Nga ana tjetër zëvendësdrejtori i policisë rajonale të Ferizajt, Basri Shabani, ka falënderuar të gjithë për vizitat që i bën në 17 vjetorin policisë së Kosovës.
“Garantoj qytetarët e Ferizajt se policia e Kosovës, çdo ditë po profesionalizohet, dhe në bashkëpunim me partneret tjerë relevant ofrojnë një siguri që e meritojnë qytetarët e Ferizajt”, ka thënë Shabani.
Më pas nxënësit e pranishëm patën mundësi të shikonin ambientet e brendshme të Policisë së Kosovës në Ferizaj.