Ferizaj.28.11.2017. Festa e 28 nëntorit edhe sivjet mblodhi bashkë strukturat komunale , përfaqësues të subjekteve politike dhe ata të shoqatave të dala nga lufta si dhe qytetarë të shumtë për homazhe pranë busteve të dëshmorëve në Ferizaj.
Me këtë rast kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij dhe anëtarët e Organizatës së Veteranëve të Luftës dega në Ferizaj nisën homazhet tek busti i heroit të kombit Rexhep Bislimi, për të vazhduar më pas te shtatorja e dëshmores Hyrë Emini, më pas tek busti i heroit Ahmet Kaçiku dhe tek përmendoret e dëshmorëve Afrim Kalanica e Sadik Bega-Mortaja . Në vazhdim homazhe u bënë edhe tek kompleksi i varrezave të dëshmorëve, ku me një minutë heshtje dhe vënie të kurorave me lule u nderua veprimtaria dhe gjaku i derdhur i të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e sotme.
Kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa duke uruar qytetarët e vendit për këtë festë të madhe kombëtare, vlerësoi se këto ngjarje duhet të shërbejnë si motiv për të punuar edhe më shumë për zhvillimin e vendit duke i realizuar amanetet e të gjithë atyre që dhanë jetën brez pas brezi për lirinë e atdheut.
“Mendoj që është një simbol i përkujdesjes ndaj gjithë atyre dëshmorëve dhe heronjve të cilët kanë punuar me përkushtim deri në sakrificë për lirinë kombëtare dhe për shtetin e shqiptarëve, pavarësisht për cilën periudhë dhe pavarësisht për cilët heronj është fjala, për ata që i njeh historia, për ata që tashmë janë në legjendë, janë në gojëdhëna, janë në rapsodi kombëtare, në këngë popullore e deri në aktin më të fundit të UÇK-së që tregon për një vazhdimësi historike të luftës shqiptare për liri, pavarësi dhe demokraci.
Mendoj që dashurinë ndaj atdheut mund ta manifestojmë secili në mënyrat e veta, ndër të parat është që të punojnë në respektimin e akteve më të larta të shtetit, siç janë ligjet dhe kushtetuta e vendit, por po ashtu edhe të punojnë për realizmin e planeve qeverisëse të cilat kanë në plan të parë zhvillimin dhe progresin e vendit në të gjitha fushat” deklaroi kryetari Svarqa.
Kurse Rafiz Sejdiu nga OVL e UÇK-së pohoi se festa e Shqipërisë është një gëzim për shqiptarët kudo që jetojnë. Sipas tij bashkëpunimet që po ndodhin së fundi mes Kosovës e Shqipërisë forcojnë edhe më shumë lidhjen shpirtrore e vëllazërore në mes të dy shteteve që në një mënyrë shënon edhe realizmin e amanatetin etë rënëve për liri pra bashkimin kombëtar.
“Kjo festë është e një rëndësie të veçantë. Ne veteranët e organizatës së luftës jemi me shumë emocione në këtë ditë, pasi që në mesin e tonë nuk janë ata që bënë më së shumti për këtë liri që ne sot po e gëzojmë.
Pra për këtë festë jemi edhe të gëzuar pasi dy qeveritë dje nënshkruan 12 marrëveshje të bashkëpunimit, këto marrëveshje pa dyshim që do t’i afrojnë shtetin e Kosovës dhe Shqipërisë, e ky afrim në të ardhmen do të lehtëson bashkimin e këtyre dy shteteve që ka qenë edhe ideal i të gjithë këtyre dëshmorëve që sot po i nderojmë”, tha Rafiz Sejdiu në emër të veteranëve ferizajas.