Ferizaj.24.01.2018. Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Ferizaj në bashkëpunim me organizatën “Islamik Reliev”, ka bërë shpërndarjen e ndihmave për 100 familje me gjendje jo të mirë socio-ekonomike, të cilat u furnizuan me nga një pako ushqimore në vlerën prej 50 euro për familje dhe me nga dy batanije.
Me këtë rast drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Besnik Berisha, është shprehur se në forma të ndryshme, po mundohen që në këto ditë dimri t’ju dalin në ndihmë familjeve në nevojë.
“Ne si Drejtori po mundohemi që t’ju dalim në ndihmë këtyre familje që kanë nevojë. Unë po ashtu i falënderoj donatorët për këtë ndihmës por ftojmë edhe donatorë të tjerë që të jenë bashkëpunues me ne, në mënyrë që t’ju dalim në ndihmë të gjitha familjeve që kanë nevojë për ndihma të tilla”, ka thënë Berisha. E nga ana tjetër, përfaqësuesi i organizatës “Islamik Reliev”, Blerim Gashi, është shprehur se kjo është një ndihmes e vogël për këto familje që këto ditë të ftohta dimri, po i kalojnë në kushte shumë të rënda.
Edhe familjet që ishin përfitues të këtyre ndihmave kanë falënderuar të gjithë ata që i ndihmuan në këto ditë dimri. Ata thanë se nevojat për gjëra ushqimore i kanë shumë të mëdha.
U bë e ditur se Komuna e Ferizajt përveç ofrimit të përkrahjes institucionale për familje në nevojë sociale dhe shërbimeve të ndryshme sociale që u ofron qytetareve, i mirëpret dhe i falënderon të gjitha iniciativat vullnetmira të donatorëve që shprehin gatishmërinë për përkrahje të kategorive sociale në nevojë.