Patrulla e Njësisë së Komunikacionit Rrugor gjatë kontrolleve të rregullta në komunikacion, ka ndaluar një automjet të auto–shkollës në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, i cili ishte duke u drejtuar nga kandidatja G.H., nën mbikëqyrjen e instruktores së shoferëve N.S. (51 vjeçe).
Gjatë lëvizjes, kandidatja është kapur në flagrancë duke përdorur telefonin celular, gjë që përbën kundërvajtje sipas Ligjit Nr. 05/L-064 për Rregullat e Trafikut Rrugor, neni 54, paragrafi 2.
Për shkak se instrukturja është përgjegjëse për veprimet e kandidatit gjatë ushtrimeve, ndaj saj policia ka shqiptuar gjobë në bazë të Ligjit Nr. 08/L-186, neni 231, paragrafi 9.2, në vlerë prej 200 euro, me 2 pikë negative dhe masë mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të mjetit me veprim motorik për tre (3) muaj.
Instruktorja në fjalë ka qenë e evidentuar edhe më parë për kundërvajtje të përdorimit të telefonit, duke vepruar për herë të dytë në kundërshtim me ligjin e trafikut rrugor.
Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjitha auto–shkollat dhe instruktorët e tyre që gjatë procesit të trajnimit të kandidatëve të respektojnë me përpikëri rregullat e trafikut, në mënyrë që të garantohet siguria e pjesëmarrësve në komunikacion.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 14 gjoba kundërvajtëse ndaj shoferëve të cilët janë kapur duke përdorur telefonin gjatë ngasjes së automjetit.