Ferizaj, 15 qershor 2025 – Me dhembje e pikëllim të thellë, Ferizaj mori lajmin për ndarjen nga jeta të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhelal Sh. Beqiri, pjesëmarrës i denjë në Betejën e lavdishme të Koshares dhe pjesëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani”.
Në shenjë respekti për jetën dhe veprën e tij në shërbim të atdheut, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, përmes një telegrami ngushëllimi i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Beqiri, bashkëluftëtarëve, miqve dhe të gjithë të njohurve të të ndjerit.
“Me dhembje e pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëmarrës në Betejën e Koshares, Brigadën 138 – Agim Ramadani, bashkëqytetarit tonë Xhelal Sh. Beqiri. Vepra e kontributi i tij për lirinë e Kosovës mbeten të skalitura përjetësisht në historinë e Kosovës. Ngushëllime të sinqerta familjes Beqiri, bashkëluftëtarëve, miqve e të njohurve të të ndjerit” – thuhet në telegramin e kryetarit Aliu.
Xhelal Beqiri do të kujtohet si një bir i denjë i Kosovës, që në momentet më të vështira të kombit, zgjodhi të jetë në vijën e parë të frontit për liri e dinjitet kombëtar. Vepra dhe sakrifica e tij do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kujtesës kolektive të popullit tonë.
Lamtumirë, Xhelal Beqiri – Lavdi përjetë emrit dhe veprës tënde!