Komuna e Ferizajt ka njoftuar se nga data 27 janar 2026 (e martë) do të pezullohet përkohësisht transporti publik urban i udhëtarëve në territorin e qytetit.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, vendimi është marrë bazuar në Vendimin nr. 01/18-26 të Kabinetit të Kryetarit, të datës 22.01.2026. Pezullimi përfshin linjat urbane A, A1, B dhe C, dhe do të zgjasë për një periudhë të pacaktuar.
Nga komuna u bëhet thirrje qytetarëve që, për lëvizje brenda zonës urbane me autobusë, të shfrytëzojnë transportin urban-periferik dhe ndërurban si alternativa të përkohshme.
Institucionet komunale falënderojnë qytetarët për mirëkuptimin dhe theksojnë se për çdo zhvillim të ri lidhur me rifillimin e transportit urban, publiku do të njoftohet me kohë.
N J O F T I M
Bazuar në Vendimin nr. 01/18-26 të Kabinetit të Kryetarit, të datës 22.01.2026, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë njofton qytetarët e Komunës së Ferizajt, se duke filluar nga data 27.01.2026 (e martë), pezullohet përkohësisht transporti publik urban i udhëtarëve në linjat A, A1, B dhe C, për një periudhë të pacaktuar.
Apelojmë te qytetarët që, për lëvizje brenda zonës urbane me autobusë, të shfrytëzojnë transportin urban-periferik dhe ndërurban.
Ju falënderojmë paraprakisht për mirëkuptimin tuaj.


