Në përvjetorin e 27-të të rënies, janë nderuar dëshmorët Murat Lika, Qani Luma, Raif Koraçi dhe Osman Luma, të cilët ranë më 8 mars 1999 në Betejën e Ivajës.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, gjatë ceremonisë ka theksuar se si çdo vit, edhe këtë përvjetor, komuniteti bashkohet për t’i nderuar dhe për t’u përulur para veprës heroike të tyre.
Për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rëndësinë e Betejës së Ivajës foli edhe Hajrush Kurtaj, ish-zëvendëskomandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, si përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Kaçanik.
Pranë lapidarit të dëshmorëve u vendosën kurora lulesh dhe u zhvilluan homazhe. Nxënësit e shkollave fillore “Dituria” dhe “Gafurr Luma” recituan vargje kushtuar dëshmorëve dhe betejës së 8 marsit, ndërsa programi artistik përfshiu këngë dhe valle tradicionale. Homazhe u zhvilluan edhe në kompleksin memorial të dëshmorëve.
Ceremonia përforcoi kujtimin dhe respektin e komunitetit ndaj sakrificës së dëshmorëve dhe rëndësisë historike të Betejës së Ivajës.

