Prishtinë, 30 Dhjetor 2017 – Ndër kompanitë më të suksesshme të Kosovës dhe me qarkullimin më të madh të mallrave është shpallur kompania “Nderimi Sh.P.K.” Këtë vlerësim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në nivel regjional e ka bërë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe KIESA. Ata kanë vlerësuar ndërmarrjet në aspektin e rritjeve të pagesave të tatimeve, shtimin e numrit të punëtorëve dhe zgjerimin e afarizmit intenziv.
Kompania “Nderimi” ka pranuar një tjetër vlerësim të suksesshëm edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dogana e Republikës së Kosovës duke u ranguar në mesin e pesë kompanive më të mëdha eskportuese në vend si kompani me rritje të eksporteve materiale.
Bashkëpronarët e kompanisë “Nderimi” Z. Shaban Aliu dhe Z.Hysni Ramadani, kanë thënë se këto rangime janë shumë të rëndësishme për ta dhe se janë të kënaqur me vlerësimet e pranuara. Ata shprehen tejet mirënjohës për vlerësimet e bëra nga MTI dhe KIESA si dhe nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dogana e Kosovës meqë angazhimi dhe kontributi i tyre ka rezultuar me sukses duke u bërë pjesë e listës së kompanive më të mëdha në vend.
Në mënyrë që këto angazhime të bizneseve në Kosovë të rriten akoma më tepër, ata sygjerojnë që komunitetit biznesor t’i krijohen kushte për konkurrencë të mirëfilltë duke e bërë vitin 2018 më fitimprurës.
Projekti më i ri që ka filluar të zhvillohet nga kjo kompani është Lagja Panorama Rezidence në Ferizaj, me një program investiv prej 63 milionë Eurosh. Në një ambient modern, periferik dhe tërësisht ekologjik do të ndërtohen 440 shtëpi banimi me infrastrukturë funksionale.
Kompania “Nderimi” është një biznes aktiv në tregun e gjerë të Ballkanit dhe shteteve evropiane si Gjermania dhe Italia që nga viti 1991. Gjatë 26 viteve të të bërit biznes në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Greqi dhe Mal të Zi dhe në vendet e tjera të rajonit, kjo kompani është bërë simbol i biznesit të suksesshëm dhe të njohur ndërkombëtarisht. Aktivitetet kryesore të kompanisë i përkasin industrisë ndërtimore dhe demolimit, inxhinierisë, logjistikës e tregtisë.