Ndërron jetë atdhetari i kombit, ish-Eprori i lartë i ZON-ës dhe ish-Kryetari i OVL-UÇK dega në Ferizaj, Rafiz Sejdiu- Inxhinieri.
Ferizaj është zhytur në pikëllim pas lajmit të ndarjes nga jeta të atdhetarit të shquar, ish-eprorit të lartë të Zonës Operative të Nerodimës (ZON) dhe ish-kryetarit të OVL-UÇK, dega në Ferizaj, Rafiz Sejdiu – Inxhinieri. Lajmi është bërë i ditur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke e cilësuar humbjen e tij si një goditje të rëndë për komunitetin e luftëtarëve të lirisë dhe gjithë ata që e njohën nga afër.
Ceremonia mortore – 23 tetor 2025
14:00 – Mbledhja komemorative në Teatrin e Qytetit “Adriana”, Ferizaj
16:00 – 16:30 – Homazhe pranë arkivolit në shtëpinë e familjes, fshati Doganaj
17:00 – Varrimi në varrezat e fshatit Greme, lagjja Spahia – Ferizaj
Rafiz Sejdiu, i njohur si një nga figurat më të respektuara të luftës dhe pasluftës, dha kontribut të çmuar në organizimin e strukturave të UÇK-së dhe në jetësimin e aspiratave për liri. Si inxhinier, patriot dhe prijës i veteranëve, ai u shqua për përkushtimin ndaj kombit, qëndresën në ditët më të vështira dhe punën e palodhshme për të mbajtur gjallë kujtimin e dëshmorëve dhe vlerat e luftës çlirimtare.
“Baci Rafiz, kontributi dhe qëndresa jote do të mbesin përherë në kujtesën e luftëtarëve të lirisë dhe në zemrat e gjithë atyre që të njohën nga afër e punuan me Ty”, thuhet në njoftimin e OVL-UÇK.
Ngushëllimet më të sinqerta u shprehen familjes Sejdiu, bashkëluftëtarëve, miqve dhe gjithë atyre që ndanë rrugën e idealit me të.
I lehtë qoftë dheu i Kosovës për ty, Epror, bashkëluftëtar dhe njeri i lirisë!