16,11,2024

Nata e Kristalt, hebrenjët dhe shqiptarët

Must Read

9 nëntor 1938, xhamat e thyer, të shpërndarë rrugëve të qyteteve të ndryshme gjermane, sikur po vezullonin e po dërgonin reflektimin e tyre në qiell për ta kthyer prap në tokë, në vitet e errëta që do vinin pas atyre netëve deri në thirrjen e ndërgjegjes botërore për një popull të lashtë që histeria e sëmundja e mendjes së njeriut të sëmur pretendonte ta shfaroste!

Sinagogat, dyqanet dhe shtëpitë e demoluara, ishin vetëm fillimi i një kalvari që do të vazhdonte për vite të tëra me vrasje në masë, persekutime me qëllim shfarosjen e Hebrenjve nga politikat naziste të Hitlerit dhe Social Nacionalizmit në Gjermani. Në të gjitha këto ngjarje, e përgjatë gjithë Holokaustit, Hebrenjtë kishin një popull mik, shqiptarët!

Politika shqiptare e udhëhequr nga Mbreti Zog, por edhe populli shqiptar duke respektuar traditën e miqësisë dhe Besën e Shenjtë shqiptare mbetën i vetmi popull mbrojtës e shpëtimtar i Hebrenjve në Evropë.

Në vitin 1933 – 1934 janë evidentuar përpjekje të Mbretërisë Shqiptare me Ambasadorin Amerikan Z. Herman Bernstein për sigurimin e Hebrenjve, por edhe heqja e vizave për të krijuar mundësin e hyrjes në Shqipëri të Hebrenjve nga Austria e vendet gjermanofolëse, tregon një kujdes të jashtëzakonshëm të shqiptarëve ndaj hebrenjve.

Shumë hebrenj mbanin edhe pozita brenda Oborrit Mbretëror siç ishte fotografi zyrtar Wilhelm Weitzmann, mjeku personal i Mbretëreshës Geraldinë, Overnovski e të tjerë.

Mijëra Hebrenjë të ikur nga vende të ndryshme para dhe gjatë Luftës së dytë botërore, gjetën strehim, ushqim e mbi të gjitha e mbrojtje në familjet shqiptare anë e kënd Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare.

Ata gjetën një popull që i priste e i mbronte, shqiptarët, duke respektuar BESËN, një zakon nderi, ruajtje e fjalës së dhënë, ruajtje e cila shpesh arrinte edhe përmasa mitike, iu garantuar siguri të përndjekurve hebrenj që iknin nga vende të ndryshme.

Shumë familje shqiptare të shpërndarë në të gjitha trojet shqiptare, ruajtën me fantazi edhe tregime nga më të ndryshmet për kohën e kaluar me miqtë e tyre Hebrenj në shtëpitë e tyre.

Sipas Yad Vashem-it, (Autoriteti Kombëtar Përkujtimor i Martirëve dhe Heronjve të Holokaustit, i formuar në vitin 1953 nga Parlamenti i Izraelit –Knesset), ambasadori amerikan në Shqipëri, Herman Bernstain, në vitin 1934, kishte shkruar se “Nuk ka gjurmë të diskriminimit të çifutëve në Shqipëri, sepse Shqipëria del të jetë një nga trevat e rralla të Evropës sot, ku paragjykimi dhe urrejtja fetare nuk ekziston, edhe pse vetë shqiptarët janë të ndarë në tri besime të ndryshme fetare”. Familjet shqiptare dhe shteti shqiptar nga Hebrenjtë me të drejtë konsiderohej si “tokë e premtuar”, nëpër rrugë të vështira e shumë të rrezikshme, shumë Hebrenj gjenin mundësin dhe arrinin tek familjet shqiptare ku gjenin ushqim, ngrohtësi e mbi të gjitha gjenin BESËN shqiptare që i ruante nga shfarosja.

Ekzistojnë shumë dëshmi, që për të lëvizur drejt Shqipërisë në të shumtën e rasteve ndihmonin edhe autoritete lokale në Kosovë, dhe një ndër dokumentet kryesore është ai i zbuluar në SHBA, ku tregohet për një familje Hebreje nga Manastiri e cila u pajisë dokument të falsifikuara dhe me emra shqiptar nga zyrtarët e Bashkisë së Ferizajt.

Në faqen të Yad Vashem, mes tjerash thuhet: “Pas pushtimit gjerman më 1943, popullsia shqiptare, në një akt të jashtëzakonshëm, nuk pranoi të pajtohet me urdhrat për të dorëzuar hebrenjtë, të cilët jetonin brenda kufijve të vendit”.

***

Holokausti mbetet njëra nga tragjeditë më të mëdha të kohës moderne dhe megjithëse njihet botërisht, në vete ngërthen edhe miliona tragjedi personale dhe rrëfime të patreguara.

Historia e popujve shpesh ndërlidhet nga ngjarjet dhe zhvillimet e ndryshme që i përcjellin në rrugëtimet e tyre në kohë.

Të rrethuar nga të tjerë popuj, të ndjekur nga mbretëritë e fuqishme, Hebrenjtë (Izraelitët) që nga kohët e lashta provuan shtypjen dhe ikjen nga tokat e tyre! Jo vetëm xhelozia e dëshira për ti pushtuar tokat e pasura, aftësia për tregti dhe mjeshtri, por edhe besimi i tyre kishte një ndikim të madh në historinë e gjatë të shtypjes e ndjekjes së popullit të Davidit!

Histori dhe ngjarje që lidhen fuqishëm me historinë e dhimbshme të popullit shqiptar.

Holokausti mbetet njëra nga tragjeditë më të mëdha të kohës moderne dhe megjithëse njihet botërisht, në vete ngërthen edhe miliona tragjedi personale dhe rrëfime të patreguara, e që neve gjeneratave të reja na takon që të punojmë fuqishëm në hulumtimin dhe zbardhjen e secilit tregim secilës familje, secilit emër veç e veç. Jo vetëm për ti treguar botës për humanizmin, traditën, besnikërinë e popullit shqiptar, por edhe për t’ju treguar gjeneratave të reja që urrejtja sjell vetëm tragjedi!

Në përmbyllje, do të doja të citoja ish-ambasadorin e ShBA-ve në Shqipëri, John L Withers, i cili pas njohjes me historinë e shqiptarëve karshi hebrenjve kishte thënë:

“Si do të ishte bota nëse të gjithë do të ishin sjellë si shqiptarët?”

Shkruan :Ilir Murtezi

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Erion Veliaj: Ferizaj dhe miku im, Agim Aliu i bashkohen “Paradës së Shqiptarëve” më 28 Nëntor në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”  

Bashkia e Ferizajt është e para që i është bashkuar “Paradës së Shqiptarëve” që do të mbahet në Tiranë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img