23,12,2024

Na ka humbur rruga në oborr

Must Read

Në rubrikën “Jepi Zërit” sjellim skulptorin e njohur Emin Hasani (1944), autor i fibulave ilire në Bibliotekën Kombëtare dhe pjesëmarrës në shumë ekspozita brenda dhe jashtë vendit. Për dy vite ishte edhe bashkëpunëtor i njërit nga skulptorët më të njohur evropian, Andre Bushe, në Gjenevë të Zvicrës.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Sigurisht që pyetja të cilën më shpesh i bëj vetes ka të bëjë me veten time: Kush jam unë? Kjo është dilema që e barti vazhdimisht dhe ngado. Në këtë kuptim u përkulem gjithë atyre që njohin veten. Në kuadër të këtyre pyetjeve më shpesh e pyes veten se si u bë që dikur ishim të bashkuar, ndërsa tani jemi kaq të ndarë, dikur mendonim dhe besonim në tjetrin, tani bëjmë të kundërtën kaq vrazhdë.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Unë udhëtoj nëpër atelie. Zakonisht zgjohem në ora 08 të mëngjesit. Puna e parë që bëj është një gjiro me biçikletë nëpër rrugët më pak të ngarkuara të qytetit. Pastaj kthehem në shtëpi. Bëj një dush dhe pi kafenë e mëngjesit me gruan. Koha tjetër në atelie. Nuk e di nga sa orë qëndroi aty, por pjesën më të madhe të ditës po. Jo rrallë ka raste kur jo vetëm ditën, por edhe një pjesë të mirë të natës e kaloi aty. Nuk është shumë me rëndësi kam ndonjë porosi për të punuar apo jo, unë punoj, sepse përherë më mbetet diçka pa e mbaruar deri në fund. Shpesh harxhoj shumë kohë tek sillna edhe rreth punimeve të mbaruara, por që nuk më bindin se kanë marrë formën e duhur përfundimtare. Kështu modelimi më është bërë ushqim shpirtëror dhe i përditshëm. Nuk e di po kam ndjenjën se çdo ditë është një përvojë e re që të shtyn ta mbushësh ditën e nesërme. Në këto angazhime vetëm muzika më bën shoqëri.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Nuk janë pak librat e tillë, të cilat më ngjajnë në përmendore, por nga ato që patën ndikim më të madh tek unë është romani “E kuqja dhe e zeza” i Stendalit.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Kjo krizë morale është e rëndë dhe e ashpër. Kjo krizë më ngjet në një mulla, i cili duhet të shpërthejë një ditë, në mënyrë që ne të gjejmë forcë t’u kthehemi jo vetëm vlerave morale, por edhe vlerave në përgjithësi, përfshirë këtu edhe ato estetike. Ky është një proces që u ndodhë shoqërive që kalojnë një rrugë si e jona, por kam bindjen se udhëtimin tonë e kemi vështirësuar më shumë vetë. Shikoni sesi imponohen personazhet e rrejshme nëpërmjet medieve dhe si shtrojnë ndikim të keq në opinion? Kjo është e dëmshme për një shoqëri, sepse të tillët veç sa thellojnë krizën. Ndikimi i tyre ka bërë që të mos çmohen vlerat por të çmohen antivlerat. Në anën tjetër, kriza morale gjithnjë përcillet edhe me krizë identitare. Kur i shikon zhvillimet tona nuk ke si të mos e pyesësh veten se kush jam unë. Po shpresoj që do t’ia dalim ta kalojmë edhe këtë fazë jo të lehtë. Besoj në teorinë e Heraklitit dhe e mundi dëshpërimin. Shqiptarët janë të përcaktuar fuqishëm për Evropën dhe këtë rrjedh nuk ka forcë që mund t’ua ndalë. Njerëzit para neve e kanë vendosur këtë përcaktim dhe e kanë bërë pjesë të fatit tonë.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Nuk mund të zhvillohet kultura në një vend, ku hapësirë më e madhe i jepet antikulturës. Për zhvillimin e kulturës duhen mjete dhe dije, të cilat tani nuk i kemi. Shikoni sa investojmë në kulturë? Madje edhe këto pak mjete shfrytëzohen nga ata që pak kanë të bëjnë me njohjen dhe prodhimin e kulturës.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Vlerësoj se shoqëria jonë ka ditur të përfitojë nga ato të mira që ofronte sistemi i kaluar, i djeshëm. Socializmi na e solli mundësinë për shkollim, gjë për të cilën kishim nevojë njësoj si për bukën. Sot na ka humbur rruga në oborr. Na duhen shumë përpjekje për ta gjetur. Shpresoj se këtë rrugë e gjejmë nesër.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Nga piktura nuk mund e të mos e veçojë “Gerniken” e Pikasos, e cila padyshim është një kryevepër. Nga poezitë do të veçoja poezinë “Çelësi” të Ali Podrimes. “Baresha” e Nexhmie Pagarushës është këngë për të gjitha brezat dhe për të gjitha kohët. Nga filmat më duhet ta veçoj “Odisenë” me Bekim Fehmiun, shkaku që antikiteti më ka ngacmuar përherë. /ZERI/.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img