26,11,2024

Mustafa: Të ketë një prezencë edhe më të madhe të produkteve vendore në treg

Must Read

Duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të bizneseve tregtare në zhvillimin ekonomik të Kosovës deri më tani, kryeministri Mustafa, kërkoi që të ketë një prezencë edhe më të madhe të produkteve vendore në kompanitë dhe në qarkullimin e tyre tregtar, duke respektuar kriteret dhe kushtet e biznesit.

 “Konsiderojmë se me këtë do t’ju ndihmonim ndërmarrjeve tona prodhuese, do ta nxisim procesin e prodhimit. Përmes saj, pastaj, mund të organizohemi, edhe sektori i tregtisë dhe sektori i prodhimit, që ne të jemi më mobil sa i përket shfrytëzimit të MSA-së për pjesëmarrje në tregun evropian, sepse në këtë treg nuk mund të dalim të ndarë prodhuesit veç dhe tregtarët veç, por është mirë që, aty ku mund të gjejmë të krijojmë një sinergji të përbashkët të tregtisë dhe prodhimit, atë ta bëjmë bashkërisht, sidomos në situata kur ne kemi kapacitete të limituara për prodhim, për të përballuar kërkesat me të cilat nganjëherë ballafaqohemi në tregun e Bashkimit Evropian”, tha kryeministri.

Si ndërmjetësues të rëndësishëm në këtë proces, kryeministri Isa Mustafa, tha se përmes tregtisë mund të avancohen edhe marrëdhëniet e prodhuesve të Kosovë me ata të tregut të BE-së.

Më tej, kryeministri Mustafa i ka siguruar bizneset tregtare se Qeveria do të vazhdojë të konsultohet me ta për të gjitha politikat që do të ndërtohen në vend, edhe ato që nxisin prodhimin dhe ato që nxisin tregtinë, dhe do të ketë parasysh të gjitha kërkesat e tyre në mënyrë që të lehtësohet maksimalisht edhe kjo fushë e rëndësishme e ekonomisë.

“Fuqizimi i bizneseve ka qenë, është dhe mbetet prioritet themelor i kësaj Qeverie, dhe se me biznese të forta dhe të fuqishme, ne do të kemi një ekonomi të qëndrueshme, edhe po ashtu do të kemi një ardhmëri shumë më të sigurt të Kosovës si shtet edhe në këtë pjesë të Ballkanit, por edhe në suaza të familjes evropiane”, tha kryeministri Mustafa

Kelmendi, ka vlerësuar punën e bizneseve tregtare në prezantimin e produkteve të shumta të prodhuesve vendor duke iu mundësuar konsumatorëve të shumtë të blejnë edhe produktet e prodhuara në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Kelmendi, me këtë rast, foli për prodhimet vendore në lëmin e bujqësisë, në industrinë e tekstilit, të këpucëve dhe industrive tjera joushqimore, në industrinë e qumështit dhe ushqimeve, duke theksuar masat që pritet të marrë Qeveria në fuqizimin e sektorëve prodhues në vend.

Ai foli edhe për përgatitjet e Qeverisë për pakon fiskale 2, e cila do të mundësojë rritjen e produktivitetit të sektorit prodhues.

“Prodhuesit vendor do të kenë mundësi t’i ngritin kapacitetet prodhuese diku rreth 30 % më shumë se që i kanë tani, cilësinë dhe kualitetin e produkteve dhe kjo rezulton edhe me rritjen e vendeve të punës proporcionalisht, ku edhe shton konkurrencën me regjionin dhe mundësinë e eksportit. Por, në këtë rast po kërkojmë që aftësitë e juaja tregtare t’i vendosni në mbështetjen e ekonomisë së Kosovës, dhe këtu shfrytëzoj rastin t’i ftoj edhe qytetarët që ta mbështesin këtë me konsum”, theksoi zëvendëskryeministri Kelmendi, duke folur edhe për avancimin e legjislacionit i cili i rregullon këto marrëdhënie.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, para të pranishmëve tha se Qeveria e Kosovë e ka pasur në fokus që nga fillimi i saj agjendën e zhvillimit ekonomik.

“Kemi punuar të gjitha dikasteret që kanë kompetenca në fushën e zhvillimit ekonomik, nën koordinimin e Kryeministrit t Mustafa që të kemi një ambient të biznesit më të mirë dhe besoj që ia kemi arritur. Agjenda e jonë po vazhdon të implementohet dhe tani ambienti i përmirësuar konfirmohet nga raportet dhe institucionet ndërkombëtare, por gjithashtu edhe nga ju si përfaqësues të biznesit në vend”, tha ministrja Bajrami, duke i falënderuar bizneset tregtare për mbështetjen që i kanë ofruar prodhimeve vendore dhe duke kërkuar përkrahje edhe më të fuqishme për prodhuesit vendorë si gjeneruesi kryesor i vendeve të punës i cili ndihmon ndjeshëm në rritjen e mirëqenies në vend.

Përfaqësues të bizneseve dhe të qendrave tregtare të ndryshme të Kosovës, kanë shprehur pikëpamjet, objektivat dhe kërkesat e tyre, duke theksuar në vazhdimësi përkrahjen e mëtejshme për prodhuesit vendor.

Ata vlerësuan përkushtimin e Qeverisë për të ndihmuar tregtarët dhe prodhuesit vendor në qasje më të lehtë dhe më efektive në tregun evropian.

Rëndësinë e këtij bashkëpunimi e kanë theksuar edhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Klubit të Prodhuesve të Kosovës si dhe Aleancës Kosovare të Biznesit dhe përfaqësues të tjerë të biznesit.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

30 gra udhëheqëse të agrobizneseve përfitojnë 300 mijë euro grante

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami mori pjesë sot në tryezën tematike "Mundësitë e grave në sektorin bujqësor,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img