17,11,2024

Mustafa premton rritje të pagës minimale

Must Read

Kryeministria ka bërë të ditur se në takim, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, u diskutua gjerësisht për avancimin e mëtejmë të gjendjes së gjithanshme të punëtorëve, si dhe për adresimin e sfidave dhe kërkesave konkrete të tyre.

“Ne u interesuam bashkërisht që të implementohen të gjitha pjesët e Marrëveshjes Kolektive, jo vetëm 0.5 për qindëshi që është i ndërlidhur me përvojën e punës, i cili obligim po ashtu ka akoma ngecje tek disa organizata të privatizuara ose organizata private të cilat nuk e realizojnë këtë. U morëm vesh që Marrëveshja e ardhshme, e cila do të jetë vazhdimësi e kësaj Marrëveshje të punohet bashkërisht ndërmjet të dy ekipeve, në mënyrë që të gjejmë zgjidhje të cilat do të implementohen në mënyrë të plotë në të ardhmen”, citohet të ketë thënë Mustafa, pas takimit.

Kryeministri bëri të ditur se pjesë e bisedimeve ka qenë edhe implementimi i ligjeve nga sektori privat, të drejtat e punëtorëve, siguria e tyre në punë, dhe përmbushja e detyrimeve të këtij sektori ndaj kontratës kolektive dhe kontratave tjera, bën të ditur Kryeministria, nëpërmjet një njoftimi.

Zgjidhje në takim u kërkua edhe për përvojën e punëtorëve që punuan në vitet e 90-ta.

“U diskutua po ashtu edhe lidhur me përvojën e viteve të 90-ta, e cila nuk po krijon kushte që disa punonjësve të cilët mbushin dyzet vite të punës, që ato t’ju llogariten në përvojën e punës. Do të punojmë bashkërisht që të gjejmë zgjidhje të përbashkët edhe në këtë aspekt”, ka thënë kryeministri.

Përveç obligimit për të kërkuar një hapësirë më të mirë për punë për vetë BSPK-në, kryeministri Mustafa tha se janë pajtuar që të punojnë bashkërisht edhe në kërkimin e zgjidhjeve të interesit të përbashkët, deri në krijimin e pozitës më të mirë materiale dhe sociale të të gjithë të punësuarve.

Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, beson se do të ketë avancim të çështjeve në pikat që janë diskutuar, në implementimin e ligjeve, të Marrëveshjes Kolektive dhe zgjidhja e problemit tek Ligji i stazhit të punës, me theks të veçantë për vitet 90-99.

“Është kërkuar që të jenë 15 vjet për kontributdhënësit. Ky prag duhet të zvogëlohet ose duhet të gjendet një model që punëtorët që kanë punuar me vite të tëra 40 apo 35 vjet të mos jenë në gjendje që mos të marrin pensione ashtu siç ju takon, por të jenë në një kategori tjetër”, tha kryetari Arifi.

Kryetari Arifi, tha po ashtu se është shqyrtuar edhe çështja e papunësisë, problemet që ka KEDS-i, por edhe për sektorin privat që është gjenerator i vendeve të punës.

“Kërkuam që Marrëveshja Kolektive dhe ligjet që janë obligative për dy sektorët, sektorin publik dhe atë privat, sidomos Ligji mbi organizimin sindikal, ku ne kemi vështirësi të madhe në sektorin privat që ta implementojmë këtë ligj, për shkak se hasim në vështirësi tek punëdhënësit dhe besoj se në të ardhmen do të jetë një kahe tjetër me atë që biseduam me kryeministrin dhe ministrat që janë këtu”, tha Arifi.

Përkundër avancimeve që janë shënuar, Arifi shprehu besimin se të gjitha çështjet e diskutuara me ministritë përkatëse do të shënojnë hapa pozitiv përmes mekanizmit të Këshillit ekonomiko-social.

Më tej, Arifi ka kërkuar edhe ngritjen e pagave dhe adresimin e çështjes së kategorizimit të pagës minimale.

Në pyetjen lidhur me stazhin e viteve të 90-ta kryeministri Mustafa shprehu vullnetin që bashkë me Ministrinë e Punës, Ministrinë e Financave dhe Sindikatat, të gjendet një zgjidhje.

I pyetur për pagën minimale, kryeministri Mustafa, tha se janë pajtuar që të mos ketë kategorizim të pagës minimale.

“Të mos e kemi një pagë minimale 170 e një 130 varësisht nga mosha, sepse paga minimale duhet të jetë e njëjtë për të gjithë dhe pa marrë parasysh moshën. Atë do ta realizojmë. Tani flasim për orientimin tonë që paga minimale të jetë kjo e larta, prej 170, pastaj kur të llogarisim mekanizmat e përllogaritjes së pagës minimale, atëherë do të shohim a mund të lëvizim dhe sa mund të lëvizim”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri është përgjigjur edhe në pyetjen për rritjen e pagave.“Ne orientimin e kemi për rritje të pagave, por orientimi është që rritja e pagave të ndodh karshi rritjes ekonomike. Natyrisht se ne lëvizjen në paga duhet të bëjmë në harmoni me Fondin Monetar Ndërkombëtar, sepse kemi marrëveshje me ta dhe po ashtu do ta bëjmë në harmoni edhe me sektorin privat në mënyrë që mos të thellojmë diferencat mes sektorit publik dhe atij privat, sepse kemi pastaj probleme të lëvizjes veçmas të ekspertëve dhe të tregut të punës kah sektori publik në krahasim me atë që ne duhet t’i japim përparësi sektorit privat. Por, gjithsesi mbi bazën e kapaciteteve tona do ta trajtojmë edhe këtë me Ministrinë e Financave dhe me gjithë partnerë tjerë”, tha kryeministri Isa Mustafa.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img