26,11,2024

Mustafa: Perspektiva jonë është vetëm evropiane

Must Read
Konferenca ne Bruksel

Ai ka mbajtur një konferencë për gazetarë së bashku me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini dhe komisionerin për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, ka thënë se Kosova është e përkushtuar për ta zbatuar MSA-në.

Mustafa ka thënë se perspektiva e Kosovës është vetëm perspektivë europiane.

“Unë shpreh edhe njëherë këtu para jush vullnetin e qytetarëve tanë që ne të ndjekim dhe të thellojmë rrugën evropiane dhe se perspektiva jonë është vetëm perspektivë evropiane, mirëpo natyrisht duke respektuar të gjitha proceset dhe të gjitha procedurat që ne të bëhemi pjesë e kësaj familje dhe të marrim përgjegjësi brenda kësaj familje”, ka thënë Mustafa ndër të tjera, përcell lajmi.net.

Fjala e plotë hyrëse e kryeministrit Mustafa në konferencë

Sot patëm një takim historik sipas vlerësimit tonë me Bashkimin Evropian. Kemi diskutuar një kornizë tonë të bashkëpunimit. Është takimi i parë i Këshillit të Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian dhe jam shumë i lumtur që sot së bashku me delegacionin nga Kosova kishim një takim shumë përmbajtjesor, një takim shumë të argumentuar dhe mendoj shumë të dobishëm për Republikën e Kosovës dhe po ashtu për marrëdhëniet tona reciproke me Bashkimin Evropian.

Kemi diskutuar një numër të rëndësishëm të çështjeve të cilat janë të interesit tonë të përbashkët. Jemi të interesuar që të thellojmë edhe më tutje rrugën tonë evropiane, të punojmë në implementimin e të gjitha çështjeve të cilat ne i kemi paraparë me kontratën e parë me Bashkimin Evropian në të gjitha fushat edhe në fushën politike, në fushën ekonomike, të forcimit të shtetit ligjor dhe të implementimit të MSA-së.

Ajo çfarë sot e ka karakterizuar këtë ditë për çfarë tha edhe përfaqësuesja e lartë Mogherini, është nënshkrimi i marrëveshjes, për qasjen tonë në programe dhe projekte të reja të Bashkimit Evropian që është i rëndësisë elementare për ne, sepse kemi një popullatë të re e cila ka interes të veçantë të ketë qasje në këto programe dhe unë e përshëndes angazhimin dhe përkushtimin e Bashkimit Evropian për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për Kosovën në tërësi.

Unë shpreh edhe njëherë këtu para jush vullnetin e qytetarëve tanë që ne të ndjekim dhe të thellojmë rrugën evropiane dhe se perspektiva jonë është vetëm perspektivë evropiane, mirëpo natyrisht duke respektuar të gjitha proceset dhe të gjitha procedurat që ne të bëhemi pjesë e kësaj familje dhe të marrim përgjegjësi brenda kësaj familje.

Ne jemi të interesuar t’i kontribuojmë paqes dhe stabilitetit në rajon. Po punojmë në këtë fushë dhe jemi të bindur se kemi arritur rezultate të rëndësishme.

Jemi të interesuar që përmes dialogut politik me fqinjët t’i zgjidhim të gjitha çështjet e hapura. Këtë dialog do ta vazhdojmë edhe më tutje me Serbinë. Do të punojmë në temat dhe do të angazhohemi për implementimin e marrëveshjeve të arritura dhe presim përkushtim të dyanshëm në implementimin e këtyre marrëveshjeve.

Me Marrëveshjen për Stabilizim Asociim ne kemi një kornizë të qartë për përmbushjen e kritereve të Kopenhagës dhe besojmë fortë se Kosova e ka vizionin, e ka përkushtimin, e ka dijen për t’i përmbushur të gjitha kriteret qoftë në aspektin politik, ekonomik, legjislativ dhe që ne ta përmbushim ambicien e qytetarëve tanë që ata së shpejti të jenë pjesë e kësaj familje dhe të marrin përgjegjësi në këtë familje.

Unë shpresoj shumë se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ofron mundësi tepër të rëndësishme për qytetarët tanë dhe po ashtu shpresoj shumë që së shpejti ne do të kapërcejmë edhe çështjet që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave dhe qytetarët tanë do të udhëtojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian ashtu siç kanë lëvizje edhe qytetarët tjerë.

Kemi nevojë që të rinjtë ta realizojnë këtë të drejtë, që bizneset tona ta realizojnë këtë të drejtë si komponentë edhe e implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe po ashtu që të përfitojmë nga kjo e drejtë në zhvillimin ekonomik, në zhvillimin social dhe në zhvillim demokratik të Kosovës./ lajmi.net

 

 

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img