Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka sqaruar në Kuvend vendimin për anulimin e shtesave për pensionistët dhe personelin shëndetësor, duke akuzuar opozitën e tanishme se edhe pse kanë qeverisur me vite, s’kanë menduar për personelin shëndetësor.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati edhe njëherë ka sqaruar çështjen e shtesave të personelit shëndetësor, policisë dhe pensionistëve.
Ai tha se me vendimin e Qeverisë Kurti pensionistët i marrin nga 100 euro, në të kundërtën do i kishin marrë 90 euro, shkruan Indeksonline.
“U bë temë çështja e shtesave dhe vendimet që u morën në njërën nga mbledhjen e Qeverisë, edhe në vazhdimësi po tentohet me u manipulu publiku por edhe përfituesit se gjoja se Qeveria paska ulë shtesa dhe po ja ndika për një kategori të caktuar. Problemi është që ato shtesa kanë qenë vendim i marrë në fillim të këtij viti në kohë fushate zgjedhore, dhe kanë qenë me afat deri në fund të muajit mars. Pra nuk ka pas shtesa më tutje. Dhe kërkesa e ministrit Vitia për personelin shëndetsësorë ka qenë që të gjejmë në mënyrë me gjithë kufizimet buxhetore ta gjejmë një mënyrë dhe hapësirë që të paktën të sigurojmë edhe për ca kohë vazhdimin e shtesave për personelin shëndetësor. Edhe kemi marrë vendim përderisa mbretëron kjo situatë vazhdimin e shtesave për ta. Kemi marrë vendim si Qeveri në muajin e parë për shtesa për personelin shëndetësor, për policinë, për pensionistët të cilët po ashtu po të mos ishte ai vendim do të kishin marrë 90 euro pensionin, e pensionet me aftësi të kufizuara do ti kishin marrë 75 euro. Por këtë muaj për shkak të atij vendimi i kanë marrë nga 100 euro”.
Murati foli edhe rreth ikjes së qytetarëve në Shqipëri gjatë një fundjave, teksa në Kosovë kishte masa kundër Covid-19.
Ai tha se qarkullimi mujor për gastronominë shkon në 12 milionë euro e nuk e di me çfarë matematike e kanë bërë që për dy ditë të shpenzohen 20 milionë.
“Gjithë këta që po ankohen i kemi pa në qeverisjet e kaluara se çfarë kanë ba. U përmend edhe çështja e masave dhe sepse gjoja ato masa kanë rezultu që disa qytetarë në një fundjavë kanë shku në Shqipëri dhe u përmendën shifra dhjetëra milionëshe gjoja se kemi humb. Nuk po e di se me çfarë matematike i bëni këto llogaritje. Por qarkullimi mujor, pra për tërë muajin në sektorin e gastronomisë është 12 milionë euro. Tash unë nuk e di ka e keni marrë 20 milionë euro për dy ditë, shihet se ka problem me matematikë kjo çështje”.