Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka folur në një konferencë për media lidhur mundësinë e bllokimit të llogarive të bizneseve të cilat kanë borxhe në Administratën Tatimore të Kosovës, një vendim ky që ishte marrë gjatë qeverisjes “Hoti”.
Murati ka thënë se ky proces ishte shtyrë në të kaluarën mirëpo, për një shtyrje të mundshme në të ardhmen, siç ka thënë duhet të bëhet një analizë më e thellë.
“Ka qenë një afat që është shtyrë në të kaluarën, bëhet fjalë për borxhe ndaj ATK-së për tatimin në fitim të realizuar, që një pjesë e madhe e kompanive kanë pasur mundësinë ta paguajnë me kohë. Në lidhje me një shtyrje të mundshme në të ardhmen duhet të bëhet një analizë më e thellë se me çka kemi të bëjmë dhe si do të ndikonte ajo në rezultatin e mbledhjes së borxheve sepse shtyrja e vazhdueshme është një shtytëse që borxhet të mos paguhen asnjëherë”, ka thënë Murati.
Ai ka folur edhe për mundësinë e bashkimit të Doganës dhe ATK-së në një institucion të vetëm, duke thënë se duhet të bëhet fillimisht një studim se cilat do të ishin përfitimet nëse ato bashkohen.
“Çështja e bashkimit të këtyre dy institucioneve do të mund të vinte pas një studimi rreth përfitimit që do të mund të krijoheshin, aktualisht nuk e kemi një studim të tillë andaj nuk mund të flasim për një prioritet të tillë. Këto institucione të rriten që të luftohet informaliteti në vend, të rriten të hyrat dhe ato të hyra të mund të përdoren për të ndihmuar qytetarët edhe në sektorin privat”, ka thënë ministri i Financave.
Sipas tij, ideja është që të rritet efikasiteti dhe zbatueshmëria e legjislacionit aktual e jodomosdo të bëhen ndryshime në strukturën institucionale aktuale që është.