Murali “Më mungon shkolla”, që ka mbuluar një pjesë të nënkalimit në qendër të Ferizajt, ka zënë vend në mediumin prestigjioz britanik, “The Telegraph”.
Mesazhi i punimit artistik, që erdhi si paralajmërim për “MuralFestin”, shpërfaq gjendjen e fëmijëve të mbyllur në kohë pandemie.
Vepra e përfunduar nga drejtoresha e festivalit, Lebibe Topalli, bashkë me Pranvera Sylejmanin dhe Drilon Murselin, të shtunën ka zënë vend në një artikull të mediumit prestigjioz “The Telegraph”.
“Më mungon shkolla” ishte pjesë e artikullit për artin në rrugë, të inspiruar nga COVID-19. Ky mural do të inaugurohet më 1 qershor për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Edicioni i sivjetmë i “MuralFestit”, që do të bazohet mbi temën “Ndryshimi”, synon të mbledhë artistë vendorë. Për pesë edicione, festivali “MuralFest” me artistë vendorë e ndërkombëtarë ka sjellë murale me tema të ndryshme në qytetin e Ferizajt.