Ferizaj

Mungesa e pajisjeve për punë rrezikon jetën e zjarrfikësve ferizajas

By FerizajPress

July 24, 2017

Shkrirja e kabllos së shporetit elektrik që ndodhej në ballkonin e ndërtesës, dyshohet të jetë shkaktare e zjarrit që kaploi banesën e Sadi Gashit dje në Ferizaj.

Fatmirësisht nga ky zjarr nuk u lëndua asnjë anëtar i familjes Gashi, por keq e pësoi zjarrfikësi Senat Musliu, i cili gjatë aksionit për shuarjen e zjarrit mori lëndime trupore.

Ai shpjegon se si u fut brenda flakëve për të kontrolluar mos ka mbetur dikush brenda ani pse nuk pati as kushtet më elementare për punë.

 “Kur kemi mbërri në vend të ngjarjes kam pyet Policinë a ka njerëz brenda, më thanë nuk e dimë se ende nuk kemi hyrë brenda, e kam marrë guximin kam hy pa mjete të cilat janë të nevojshme për intervenim si maska e oksigjenit, se nuk kemi pasur, kur kam hy brenda e kam pa tek dhoma e fjetjes kanë qenë disa lodra të fëmijëve, kam mendu që janë fëmijë, e kam vërtetu që nuk ka njerëz, mandej me kamionin e dytë kemi arritë me lokalizu zjarrin, pastaj nga tymi kam marrë edhe lëndime gjatë intervenimit dhe jam detyru me iu nënshtru emërgjencës. Kemi intervenuar në ato kushte që i kemi, kemi intervenuar nga shkalla pasi që korpa ka qenë defekt, kam hip në shkallë pa u lidh, pa qenë fare i sigurt”, tha  Senat Musliu për Televizionin Tema.

Se Brigada Zjarrfikëse në Ferizaj po përballet me probleme të shumta e pohon edhe vetë komandanti i saj, Halil Osmani, i cili shprehet i revoltuar me papërgjegjësinë e institucioneve lokale e qendrore për të siguruar kushte më të mira për zjarrfikësit.

“Kemi telashe të mëdha me shumë gjëra që ne nuk po kemi mundësi të jemi efikas, janë radiolidhjet për komunikim mes vete, kanë mbi 13 vite ato që janë dëmtuar, s’kemi bateri dore që është e nevojshme, kemi bërë kërkesa të panumërta si në komunë ashtu dhe në ministri, kemi telashe të mëdha që i mbush aparatet e frymëmarrjes dhe mbushjen e bombolave për intervenim brenda, siç ka ndodhë dje kur nuk kemi mundur të intervenojmë brenda, shumë gjëra na mungojnë, nuk e dinë udhëheqësit tanë se me çfarë rreziku përballemi ne.  Ferizaj është ndërtuar shumë me ndërtesa me kate të larta e ne nuk kemi mjete me intervenu në to. Ne  e kemi automjetin i cili është një korpë e vendosur në automjet, ajo korpa nuk po funksionon, është dashur ta tërheqim korpën të shkojmë vetëm me shkallë, që ka qenë shumë e rrezikshme, e rrezikojmë zjarrfikësin”, theksoi Osmani.

Edhe zëvendëskomandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Ferizaj, thekson se me këto kushte punëtorët e kësaj brigade në çdo intervenim janë të rrezikuar.

“Pa këto pajisje me dalë në terren ëshët shumë rrezik, por ne rrezikojmë dalim, rrezikojmë jetën çdo çast, meqenëse jemi një numër i paktë i punëtorëve, por këto janë mundësitë”, u shpreh zv.komandanti i Brigadës Zjarrfikëse në Ferizaj, Mujë Hajdini.

Përfaqësues të Brigadës së Zjarrfikësve në Ferizaj thonë se ky institucion është lënë pas dore, prandaj apelojnë tek institucionet kompetente që të ndërmarrin masa të menjëhershme për të siguruar paisjet që iu mungojnë./Qëndresa Ramadani / TELEVIZIONI TEMA /