Ferizaj

Mulliri i 6 shekujve (Video/Foto)

By FerizajPress

June 13, 2016

I ndërtuar afro 600 vite më parë, Mulliri i Nikës në Ferizaj mahnit vizitorët. Nga katër gurët që kishte aktiv tani ky mulli punon me dy gurë për bluarje. Interesimi i turistëve për të vizituar atë sa vjen e rritet.

Mulliri i që i ka mbijetuar kohëve. Kështu mund të quhet Mulliri i Nikës i cili, sipas më të moshuarve është ndërtuar rreth gjashtë shekuj më parë, në kohën e Turqisë. Ai përkundër viteve vazhdon të jetë në funksion. Gjendet fare pranë fenomenit të bifurkacionit.  lajmi.net përmes fotografive dhe videos, kësaj radhe prezanton lashtësinë dhe bukurinë e këtij mulliri.

Mbijetesa e gjatë e tij është e lidhur me kujdesin e pronarëve dhe restaurimit që iu bë nga Qeveria e Kosovës, ende vazhdon të jetë në formën e duhur por edhe aktiv në punën e tij varësisht nga sasia e ujit i cili vjen nga Bifurkacioni që gjendet vetëm 30 metra larg këtij mulliri.

Shaban Kashtanjeva, trashëgimtar dhe pronar i Mullirit të Nikës, thotë se sipas fjalëve që ka dëgjuar brez pas brezi, mulliri është ndërtuar para më shumë se 600 viteve.

“Babai im që nga viti 1926 ka punuar këtu, kur ishte fëmijë dhe kishte 16 vjet. Ka punuar këtu vetëm për kafshatë të gojës”, thotë Kashtanjeva. Sipas Kashtanjevës më pas babai i tij bëhet edhe pronarë i një pjese të këtij mulliri dhe më vonë Mulliri i Nikës kalon tërësisht në pronë të kësaj familje.

Ky mulli është i njohur në tërë Kosovën. Mulliri i Nikës edhe pas afro 600 viteve të ndërtimit është ende aktiv në bluarjen e grurit. Ky mulli ka  katër gurë për bluarje.

Edhe interesimi i njerëzve për të bluar miell në këtë mulli nuk mungon. Shaban Kashtanjeva thotë ka mjaft të interesuar të cilët sjellin për bluarje grurin.

Më herët sipas Kashtanjëves, në këtë mulli bluanin nga tërë komunat e Kosovës dhe se radhët ishin shumë të gjata.

“Kanë pritur nga 10 deri 15 ditë në rend, sepse vinin nga tërë Kosova, Një kohë mulliri ka punuar  pas lufte uji u ndal edhe mulliri u ndal. Tash uji ka është lëshuar  edhe mulliri ëka filluar të jet funksional”, thotë Kashtanjeva.

Ajo që i bënë të ndihen më krenarë është edhe interesimi i turistëve sidomos i të huajve për vizitë këtij mulliri.

Kashtanjeva tregon se pak ditë më parë ky mulli ishte vizituar nga disa amerikan të cilët duke hulumtuar në internet për Bifurkacionin kishin dëgjuar edhe për Mullirin e Nikës.

“Ka shumë turist që vinë me e vizituar. Vinë vizitor amerikan gjerman etj”, tregon Kashtanjeva.

Ndërsa Nexhat Shahini, zyrtar për Trashëgimi Kulturore në QRTK-Ferizaj tregon se si i ka qëndruar kohës ky mulli i vetmi funksional në Ferizaj. Ai thotë se ky mulli është ikona e qytetit të Ferizajt. Mulliri i ka bërë një prezantim jashtëzakonisht të mirë të së kaluarës sonë.

“Sa i përket këtij mulliri ka pas tri herë intervenime në restaurimin e këtij mulliri. Supozohet që ky mulli është ndërtuar para 600 vjetëve. Ky mulli është i vetmi i mbetur në trevën tonë ku dihet që në të kaluarën Ferizaj ka pas 62 mulli. Ky mulli është në gjendje shumë të mirë dhe është funksional”, tregon Nexhat Shahini zyrtar për Trashëgimi Kulturore ne QRTK-Ferizaj.

Si pronarë të Mullirit të Nikës, trashëgimtarët e këtij mulliri, familja Kashtanjeva, ishin kujdesur që të mos rrënohej.

Ajo që e bënë edhe më të veçantë Mullirin të Nikës, është edhe afërsia e tij me fenomenin e Bifurkacionit i cili është vetëm 30 metra larg tij, dhe njëra rrjedhë e lumit shërben edhe për këtë mulli. /Lajmi.net/