Ferizaj.29.01.2018. Banorët e fshatit Muhoc të Ferizajt, janë ankuar se KEDS-i ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike të këtij fshati dhe të disa fshatrave përreth, për dy ditë me radhë, pa ndonjë paralajmërim.
“Ne nuk kemi pasur rrymë as të shtunën as të dielën, të shtunën nga ora 9 e mëngjesit deri 18 në mbrëmje nuk kemi pasur rrymë, të dielën e njëjta, madje deri 20:00 në mbrëmje nuk kemi pasur, asnjëherë nuk na bëhetparalajmërim, dyshimi jonë ka lindur për shkak të pjesëve perëndimore Pejë, Deçan dhe Dragash që nuk kanë pasur rrymë 3-4 ditë dhe mendova që edhe kjo pjesë do të jetë ashtu dhe është një padrejtësi ndaj bizneseve që nuk mundemi me mbijetu në këtë formë me agregata, nafta e shpenzime enorme”,tha Faton Sherifi.
“Të shtunën nuk kemi pasur tërë ditën rrymë, diku nga ora 09:00 është ndalur, faturat i paguajmë të rregullta, po ashtu edhe javën e kaluar ka pasur ndërprerje të shumta’, theksoi Imri Beqiri.
“Dje tanë ditën rrymë nuk ka pasur nga ora 09:00 deri 20:00, nuk ka pasur edhe të shtunën, edhe sot paradite nuk ka pasur, tani nuk e di pse pagesat i bëjmë rrymë nuk është askund, dikush ngrohet me rrymë dhe është keq, frizat janë prishet mishi e çka ka në të, me na lajmëru s’na ka lajmëru askush dhe kjo është e keqja, pa paralajmërim është shumë keq”,tha Jakup Neziri.
“Që 3 ditë nuk kemi pasur rrymë, po prishet mishi që e kemi në friz, makina e larjes e shumë të tjera, por për ujë problem se për me u ngrohë unë ngrohem me dru, por ata që janë më rrymë problem”,tha Asllan Sylejmani.
Ndërsa drejtori i distriktit të KEDS-it në Ferizaj Ramadan Ahmeti, përmes telefonit tha se ndërprerjet e rrymës në këtë pjesë kanë ardhur si pasojë e një defekti në trafo.
“Diku nga ora 09:15 kemi pasur një shkëputje të kabllës së tensionit të lartë, e kemi thirrur automjetin prej Prishtinës e ka detektu vendin ku është, kanë vërejt se nëntokësori është i i këput, e kemi rregulluar dhe është lëshuar diku rreth orës 17:00 apo 18:00, mirëpo një trafë na ka mbetur jashtë deri sot që e kanë lëshuar në mëngjes, por kështu është procedura, se në tokë kur këputet një kabëll duhet me detektu vendin dhe me i vazhdu kabllat, është lëshuar njëra trafë ka pasur problem tjetër diku 60 konsumatorë dhe ajo është lëshuar sot dhe është rregullu defekti”,tha Ahmeti.
Përveç fshatit Muhoc, pa energji elektrike gjatë këtyre dy ditëve ishin edhe fshati Prelez, Talinoc e disa fshatra të tjerë të asaj ane, transmeton Televizioni Tema.