Sipas MPJD-së në territorin izraelit ndodhen edhe 13 qytetarë të tjerë të Kosovës, të cilët deri më tani nuk kanë shprehur interesim për evakuim
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, të mërkurën, ka njoftuar se në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Izrael, ka përmbyllur me sukses, evakuimin e disa qytetarëve të Republikës së Kosovës nga territori i Izraelit, përmes Jordanisë dhe Egjiptit.
“Procesi është realizuar në koordinim të afërt me autoritetet izraelite dhe ambasadat e Shqipërisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Egjiptit në Izrael. MPJD shpreh mirënjohjen e saj të thellë për bashkëpunimin dhe lehtësimin e procesit nga ana e autoriteteve përkatëse të këtyre vendeve”.
Ndërkohë, MPJD ka bërë të ditur se po ndjek nga afër rastin e një shtetaseje të Kosovës që ndodhet në trajtim mjekësor në spitalin “Soroka” në qytetin Be’er Sheva, ku së fundmi është raportuar për një sulm.
“Fatmirësisht, ajo nuk ka qenë e pranishme gjatë sulmit dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Ambasada e Kosovës në Izrael është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e saj dhe po punon për realizimin e evakuimit të tyre sapo të krijohen kushtet përkatëse”.
Gjithashtu, sipas MPJD-së, një qytetar tjetër i Kosovës është aktualisht në proces të largimit nga Izraeli përmes Egjiptit, me mbështetjen e Ambasadës.
“Sipas të dhënave të fundit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Izrael, në territorin izraelit ndodhen edhe 13 qytetarë të tjerë të Republikës së Kosovës, të cilët deri më tani nuk kanë shprehur interesim për evakuim”, thuhet në njoftim.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael, sipas MPJD-së, mbetet në gatishmëri të plotë dhe e angazhuar për t’iu përgjigjur çdo kërkese për ndihmë nga qytetarët, duke koordinuar nga afër me autoritetet izraelite dhe partnerët ndërkombëtarë për çdo mundësi të mëtejme evakuimi.
“Duke qenë se situata e sigurisë në Izrael vijon të përkeqësohet, MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që ndodhen në këtë territor të tregojnë kujdes maksimal dhe të qëndrojnë vetëm në zona të sigurta”.