Fitim Mehmeti, pjesëtar i Brigadës së Zjarrfikësve në Ferizaj, është diagnostikuar me leukemi akute.
Në pamundësi të mbulimit të shpenzimeve të mëdha për shërim jashtë vendit, po kërkohet ndihmë financiare nga qytetarët.
Për shërimin e 25 vjeçarit nevojiten 130 mijë euro, kosto kjo e papërballueshme për familjen e tij, prandaj paraditën e sotme Agon Zhinipotoku ka marrë iniciativë që përmes vullnetit të qytetarëve ferizajas ta ndihmoj familjen Mehmeti për ta siguruar shumën e nevojshme për Fitimin.
“Pas kërkesave të shumta kemi vendosur me marrë përsipër edhe rastin e Fitimit ku shuma që i duhet është 130 mijë euro, familja ka siguruar tashmë 30 mijë, po ashtu në llogarinë e babit të tij sapo na lajmëruan se kanë arritur edhe 20 mijë euro, ndërsa tani ne synojmë që përmes organizimeve të ndryshme që do të bëjmë të arrijmë edhe 80 mijë euro dhe këtë shumë synojmë ta arrijmë deri të premten”, tha Zhinipotoku.
Derisa u bëjnë thirrje qytetarëve për ndihmë, familjarë të Fitimit tregojnë se nuk mund të humbasin shumë kohë, pasi gjendja e tij sa vie e rëndohet.
“Fitimi është diagnostikuar që dy javë me leukemi akute, ai tashmë ka filluar me kimioterapi në Maqedoni, shëndeti i tij është shumë i rënduar, kemi humbur pak kohë pasi është mjekuar për tjetër gjë. U bëjmë thirrje qytetarëve që ta ndihmojnë Fitimin, edhe pse e dimë se janë ldodhur nga këto raste, por ne nuk kemi rrugë tjetër çfarë të bëjmë. Fitimi nga nëntori është me shqetësime, është mjekuar një herë për COVID-19, por tani veçse është i diagnostikuar”, tha Jetmir Ilazi, familjar.
30 % të shumës totale familjarët thanë se janë duke u munduar që ta sigurojnë edhe nga Ministria e Shëndetësisë, por që gjastat janë të pakta meqë Fitimi nuk ka kryer terapi mjekësore në Kosovë.