Pas shpalljes së rezultateve të përzgjedhjes së projekteve për financim nga MKRS doli se projektet e klubit letrar “De Rada” nuk janë mbështetur.
Për këtë, përmes një komunikate për medie ka reaguar klubi “De Rada”
Ky është reagimi i plotë
Më 19.08.2022 MKRS shpalli rezultatet e përzgjedhjes së projekteve për financim, sipas Thirrjes publike për ofrimin e mbështetjes financiare publike për projektet kulturore – artistike për OJQ dhe individë për vitin 2021. Ashtu si edhe viteve të kaluara, edhe kësaj radhe Klubi letrar “De Rada” ka aplikuar në këtë thirrje me një pako të aktiviteteve letrare për vitin 2022.
Më 3 gusht, jemi njoftuar se projektet tona nuk janë mbështetur, për shkak se, sipas tyre, në dokumentet e dërguara përmes platformës eKosova, ka munguar CV e menaxherit të projektit, dokumenti që nuk është nën hetime dhe se nuk është përmbyllur projekti i vitit të kaluar në MKRS. Në fakt, këto as që mund të konsiderohen si arsye, sepse dokumentet në fjalë janë dorëzuar krahas të gjitha të tjerave që janë kërkuar.
Projekti i vitit të kaluar është përmbyllur qysh në muajin tetor, por si zakonisht zyrtarët e MKRS-së nuk na kanë lëshuar dokument për ta dëshmuar përmbylljen dhe mundësia e humbjes së dosjes nuk është e pamundur, kur kemi parasysh papërgjegjësinë që i karakterizon zyrtarët e institucioneve tona publike. Megjithatë, ne i kemi dërguar sërish ato dokumente, bashkë me ankesën; madje përveç në eKosova i kemi dërguar edhe në email, që do të thotë se i kemi evituar pengesat për të cilat jemi refuzuar.
Mbase gabimi ynë ka qenë mosreagimi publik, sepse atyre që kanë reaguar u janë marrë parasysh ankesat dhe janë përkrahur. Ne kemi ndjekur rrugën institucionale, duke iu përmbajtur udhëzimeve të dhëna nga MKRS dhe duke iu shmangur teatralitetit në rrjetet sociale.
Mirëpo, siç po shihet, për institucionet tona, më të rëndësishme janë reagimet publike (mbase që atakojnë direkt votat) sesa ankesat në mënyrë të rregullt.
Me shpalljen e rezultateve finale, ku projektet e Klubit letrar “De Rada” nuk janë mbështetur, komisioni për vlerësimin e projekteve në MKRS ka ardhur në kundërshtim me vetveten, sepse arsyet për mosmbështetje që na janë dhënë më 3 gusht tanimë nuk qëndrojnë dhe ne nuk e kemi idenë se ku qëndron arsyeja e mospërkrahjes.
Vlen të theksohet se Klubi letrar “De Rada” në Ferizaj është njëri nga klubet më të vjetra në Kosovë. I themeluar në vitin 1971, ky klub për dekada me radhë ka grumbulluar rreth vetes një numër të madh krijuesish, shumë nga të cilët tani janë emra të njohur në letrat shqipe.
Gjithashtu, gjatë pesë viteve të fundit, klubi “De Rada” ka qenë nga klubet letrare më aktive në vend dhe i ka jetësuar një varg projektesh që tanimë janë bërë tradicionale. Krahas pesë edicioneve të Kolonisë letrare “Muzat e Jezercit” dhe Konkursit të poezisë “Ora e Astritit” (me karakter mbarkombëtar), si dhe katër edicioneve të Panairit të librit, klubi letrar “De Rada” ka organizuar çdo vit së paku tetë takime të Odës së librit, aktivitet ky që ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve të të gjitha moshave, e në veçanti të rinjve, nxënës e studentë.
Gjithashtu, çdo vit janë organizuar edhe mbrëmje poetike, promovime librash dhe me aktivitete të veçanta janë shënuar ditët ndërkombëtare të poezisë, librit, gjuhës shqipe etj. “De Rada” gjithashtu, çdo vit ka botuar edhe libra, të cilat paraprakisht janë vlerësuar nga komisioni përkatës.
Me Sektorin e të Rinjve, që tash pesë vjet funksionon në kuadër të klubit, janë mbajtur punëtori me tema të zgjedhura nga të rinjtë: si Analiza e veprës letrare, Analiza e poezisë, Si të shkruhet një ese etj. të gjitha këto aktivitete vullnetare.
Ne tani kemi një grup të rinjsh, grup ky që po zgjerohet në vazhdimësi, të cilët kanë krijuar kulturë të leximit dhe i ndjekin me interesim aktivitetet tona, prandaj në këtë pikë, injorimi i projekteve tona nga ana MKRS-së është i turpshëm, sepse nuk po i jep krah aktiviteteve të librit, për të cilat ka më së shumti nevojë rinia jonë.
Klubi “De Rada” do të vazhdojë të organizojë këto aktivitete edhe pa përkrahjen e MKRS-së, pa marrë parasysh se sa do të jenë më të varfra ato, sepse nëse vetëm dhjetë të rinj nga qyteti ynë do të arrijnë të dalin, qoftë si krijues apo si lexues model, ne konsiderojmë se e kemi përmbushur misionin tonë.
Përmes këtij reagimi të hapur, i bëjmë thirrje komisionit vlerësues të MKRS-së që të jenë më të përgjegjshëm në vlerësimin e projekteve dhe në vend të numrit të pjesëmarrësve në aktivitete, t’i japin më shumë rëndësi ndikimit që aktivitetet kanë në ngritjen kulturore të popullatës sonë.