Ministrja Hoxha para të pranishmëve tha se arsimi ligjor është pjesë qenësore e sistemit juridik dhe si i tillë kërkon mbështetjen e institucioneve për përmirësimin dhe zhvillimin e tij sipas legjislacionit në fuqi dhe praktikave më të mira ndërkombëtare, gjë për të cilën Ministria e Drejtësisë ka një angazhim të vazhdueshëm me qëllim të ngritjes dhe avancimit të mëtejmë kapaciteteve të sistemit juridik në përgjithësi.
“Ministria e Drejtësisë është duke i bërë një analizë arsimit ligjor për të parë se sa reflekton kjo në kurikulat e Fakulteteve Juridike në Kosovë. Gjithsesi, hapja e kësaj Gjykatoreje do të kontribuojë në lidhjen e arsimit ligjor me nevojat praktike të sistemit të drejtësisë” tha Ministrja Hoxha. Kjo iniciativë, shtoi Ministrja, do të ndihmojë të diplomuarit që të jenë më afër profesionit të gjyqtarit, prokurorit, avokatit dhe për më tepër do të ndihmojë futjen e kuadrove më të reja në sistemin gjyqësor apo prokurorial.
Në fund të fjalës së saj, Ministrja Hoxha shprehu përkrahjen dhe përkushtimin e pa rezervë në përmirësimin e infrastrukturës ligjore, duke theksuar se mbeten të përqendruar para së gjithash në nxjerrjen e legjislacionit adekuat për sektorin e drejtësisë në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.
Ministrja Hoxha falënderoi organizatorët e këtij aktiviteti të rëndësishëm për arsimimin e studenteve te drejtësisë në Kosovë, duke i uruar për rezultate konkrete studentet e këtij Universiteti. /Lajmi.net/