Ministri Tahiri theksoi se vizita ka të bëjë me raportin pozitiv nga Komisioni Evropian për përmbushjen e të gjitha kushteve për liberalizimin e vizave, meqenëse Gjykata Themelore e Prishtinës ka bartur barrën kryesore në procesin e rasteve të shënjëstruara, thuhet në njoftimin ministror.
“Kemi ardhur sot që t’i falënderojmë, që punën e gjyqësorit po e sjellin në një standard të ri, në një dimension të ri, dhe jam shumë i lumtur që tani e tutje vetëm sa do ta rrisim efikasitetin e gjyqësorit” theksoi ministri Tahiri, transmeton lajmi.net.
Ministri Tahiri theksoi se ky raport pozitiv është shtysë e madhe që të punohet më tutje që gjyqësori të plotësoj pritjet dhe kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Ne nuk do të vetëkënaqemi. Edhe më tutje do të angazhohemi që të kemi një gjyqësor sa më profesional, sa më efikas, i cili është në përputhje të plotë me pritjet dhe kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës” theksoi ministri Tahiri.
Kryesuesi i KGJK-së, z. Idrizi, theksoi se raporti i KE-së ka motivuar gjyqësorin që lëndët e kësaj natyre të trajtohen me prioritet edhe në të ardhmen, ndërsa kryetari i Gjykatës Supreme, z. Peci potencoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes institucioneve, në të mirë të interesit të qytetarëve. /Lajmi.net/