Ferizaj. 30 Korrik 2018. Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, përmes një postimi në Facebook, ka treguar se si do të duket spitali i Ferizajt, gurthemeli i të cilit u hodh javën e kaluar.
Ismaili ka thënë se spitali i ri do të jetë bashkëkohor dhe do të përmbushë nevojat e rreth 250 mijë qytetarëve për shërbime mjekësore sekondare: 100 mijë banorëve të Ferizajt dhe rreth 150 mijë qytetarëve të qyteteve përreth Shtimes, Kaçanikut, Vitisë e Shtërpcës.
Ministri Uran Ismaili, më 25 janar të këtij viti, kishte nënshkruar kontratën për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt.
Ministri Uran Ismaili tha se në më pak se tre vjet Ferizaj do të ketë një nga spitalet më moderne në vend.
“Kështu do të duket spitali i Ferizajt, nga më modernët në vend, gurthemelin e të cilit e hodhëm javën e kaluar. Projekti ynë prej 10 milionë euro, do të ndërtohet në një hapësirë prej 2.7 hektarë. Objekti shtatëkatësh me 22 mijë metra katrorë, do të ketë 220 shtretër dhe të gjitha hapësirat dhe pajisjet që përmbushin standardet e një spitalit të përgjithshëm. Urime edhe njëherë Ferizaj, Kaçanik, Hani i Elezit, Shtime e Shtërpcë”, ka shkruar ministri Ismaili.
Investitor i këtij projekti 10 milionë euro është Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt.
Ndërtimi i Spitalit të Ferizajt do të përfundojë pas 600 ditë pune (rreth 3 vjet).
Lokacioni ku do të ndërtohet spitalit i ri i Ferizajt, ka një hapësirë prej 2.7 hektarë, kurse objekti do të ketë 22 mijë metra katrorë.
Projektimi i spitalit është me shtatë kate, brenda të cilëve do të ketë 220 shtretër dhe të gjitha hapësirat tjera të nevojshme për punë dhe shërbime mjekësore.
Spitali i Ferizajt do të nisë punën me pajisje të reja dhe bashkëkohore, infrastrukturë që do të krijojë kushte për punë dhe shërbime cilësore për pacientë.