Ministri i Arsimit në Qeverinë e Kosovës, Shyqyri Bytyqi ka thënë se shumë shpejt mund të ketë marrëveshje MASHT-SBASHK për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës në arsim.
Bytyqi, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se nuk ka inate me SBASHK-un dhe kreun e saj Rrahman Jasharaj.
“Besoj se shumë shpejt do të kemi një marrëveshje të përbashkët me SBASHK-un. As nuk e vë në dyshim. Unë nuk punoj me inate. Kur e shoh që një palë është e interesuar të jetë palë bisedimesh, jam i gatshëm të ulem me ta. Në këtë formë do të jemi në takim edhe me SBASHK-un dhe do ta gjejmë zgjidhjen”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ministri i Arsimit ka thënë se do të marrë për bazë çdo propozim që vjen nga SBASHK-u për zgjidhjen e problemit.
“Nuk është çështja e orëve, sepse nuk kemi të bëjmë me numra. Problemi është se fëmijët tonë po humbin në dije. Të kemi parasysh, sepse fëmijët tonë qëndrojnë pak në shkollë. Nëse bëhet krahasimi, siç është bërë nga analiza e Bankës Botërore, mesatarja e orëve që nxënësit e huaj qëndrojnë në shkollë është 7-8 orë, kurse nxënësit tanë rrinë mesatarisht 3.5-4 orë në shkollë”.
Bytyqi ka thënë se nëse nxënësit tonë pos qëndrimit të shkurtët në shkollë nëse humbin edhe orë tjera do të mbeten shumë mbrapa në mësim.
Ai ka thënë se është duke u bërë shumë zhurmë, por humbësit e vërtet janë nxënësit.
“Nuk do të thotë që me këto orë që do të zëvendësohen ne do të bëjmë mrekulli, por minimumi mos t’ua humbin nxënësve mundësinë që për këto orë të mund të përfitojnë… Nuk ka qenë qëllimi ynë të inatosim apo dëmtojmë dikë”.
Ministri i Arsimit ka thënë se janë të hapur që nëse SBASHK-u gjen ndonjë propozim më të mirë për kompensimin e këtyre orëve, të ndryshojnë vendimin.
“Nëse mendojnë që zgjatja e orarit me një apo dy orë në ditë deri në kompensimin e orëve do të ishte zgjidhje jemi dakord. Ne kemi qenë dakord që zëvendësimi i të gjitha humbjeve me të shtuna nuk ka qenë zgjidhja më e mirë”, tha Bytyqi.