Sindikata e Arsimit në Ferizaj, ka thënë se mësimdhënësit e kësaj komune janë kundër nënshtrimit të testit shtetëror të profesionit i cili është duke u hartuar nga Ministria e Arsimit.
Kryetari i Sindikatës së Arsimit në Ferizaj, Rexhep Sadiku, tha se kjo ide e Ministrisë së Arsimit është qesharake dhe tendencioze.
“Ne kemi shpërndarë nëpër komuna të ndryshme edhe në Ferizaj, formular të cilët dëshmojnë se pjesa dërmuese e mësimdhënësve nëpër të gjitha shkollat nuk pranojnë të hynë në test, nuk pranojnë të hynë në test jo pse frikësohen apo u mungojnë aftësitë porfesionale, por thjesht e marrin si një fyerje e manipulim, dhe si një pretekst që mund të shfrytëzohet nga qarqet e caktuara të politikës, në qoftë se rezultati nuk është në nivelin e duhur. Ne duam ta ruajmë integritetin tonë moral, në shkolla të mesme kemi doktorë shkence dhe ata të futen përsëri nëpër teste është qesharake dhe është thjesht një tendencë dhe një lojë”,tha Sadiku.
Kryetari i Sindikatës së Arsimit në Ferizaj, Rexhep Sadiku tha se në këtë formular mësimdhënësit kanë shprehur edhe pakënaqësitë rreth mospërmbushjes së disa pikave të kontratës kolektive.
“Në këtë formular nuk është vetëm testimi i mësimdhënësve por janë edhe kërkesat e tjera siç janë mospërmbushja e 70% e pagës së atyre që udhëtojnë, mospërmbushja e shujtës, mospërmbushja e 3 pagave, që nuk paguhet për pensionistët, kërkesë tjetër është nxitja dhe inkurajimi nga Ministria që vitet e 90-ta të jenë si vite të benefitit, ne e kemi bekimin dhe pëlqimin që nëse nuk realizohen këto kërkesa atëherë të hymë edhe në grevë”, tha Sadiku.
Sindikata e Arsimit në Ferizaj kërkoi që të ngritet cilësia në arsim, por jo duke bërë testimin e mësimdhënësve.