15 shkolla të Ferizajt do të përfshihen në testin PISA 2018. Derisa në disa komuna të Kosovës ky test do të filloj nesër, Sadije Hajdini nga Drejtoria e Arsimit, tha se në Ferizaj testi PISA fillon nga data 19 prill. Ajo njoftoi se përgatitjet për këtë test ndërkombëtar tashmë kanë përfunduar dhe se shkollat e këtushme janë të gatshme që këtë vlerësim ta kryejnë pa ndonjë pengesë.
“Përgatitjet janë bërë, në çdo shkolle është përcaktuar nga një koordinator ku ai ka pasur për detyrë të punoj me nxënësit që janë përzgjedhur nga Ministria e Arsimit që t’i nënshtrohen këtij testi. Sa i përket kushteve teknike kemi pasur pak ngecje, pasi që në disa shkolla kanë munguar kompjuterët, por që të gjithëve ju kemi dhënë mundësi që së paku një herë ta provojnë formën të cilën kanë me apliku për testin PISA. Ata së paku gjatë kësaj kohe e kanë mësuar se si t’i përgjigjen këtij programi që ofron testi PISA, po ashtu gjatë mësimit kanë mbajtur edhe orë shtesë me profesorë të gjuhës, të shkencave dhe kanë mësuar që së paku mos të lënë pyetjen bosh, por të japin përgjigjen të cilën ata mendojnë se është e drejtë”, tha Sadije Hajdini për televizionin Tema.
Hajdini, njoftoi se testi PISA në Ferizaj do të zhvillohet në shkollën e Kompetencës si dhe në shkollën e mesme “Elena Gjika”, ndërsa testimi do të zgjas 120 minuta.
“Do të thotë këto qendra do të pajisen me kompjuterë të mjaftueshëm, madje do të sigurohen edhe disa rezervë për mos të dështuar në aspektin teknik së paku. Koordinatorët dhe vëzhguesit caktohen nga Ministria e Arsimit. Testimi fillon besoj në orën 10 dhe kësisoj nxënësit pjesëmarrës të këtij vlerësimi ndërkombëtar do t’i nënshtrohen pyetjeve të këtij testimi”, theksoi Hajdini.
Testit PISA 2018 do t’i nënshtrohen 354 nxënës nga 8 shkolla fillore dhe 7 të mesme të kësaj komune, trasnmeton Televizioni Tema.
Must Read