Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) ka vendosur që në vitin e ri akademik 2017-18 në universitetet publike në Kosovë të regjistrohen mbi 15 mijë studentë të rinj.
Vetëm në Universitetin e Prishtinës këtë vit kuota e studentëve të rinj do të jetë mbi 7 mijë. Në një intervistë për “Radio Kosovën” ministri në detyrë i Arsimit, Arsim Bajrami, ka theksuar se po vazhdon me politikat e zvogëlimit të numrit të studentëve dhe rritjes së cilësisë. “Ministria e Arsimit sot i ka miratuar kuotat e të gjitha universiteteve publike për vitin akademik 2017-18, gjegjësisht nga nesër do të hapen konkurset për pranimin e studentëve në të gjitha universitetet publike. Totalisht sivjet universitetet publike do të pranojnë 15 mijë e 255 studentë ndërkaq vetëm UP-ja do të pranoj 7 mijë e 200 studentë”, ka deklaruar Bajrami.
Bajrami u ka bërë ftesë të gjithë të rinjve që të orientohen në drejtime profesionale. Ai i ka siguruar të gjithë të rinjtë se do të vendoset parimi i meritave në pranimin e tyre.