Ferizaj.23.07.2018
Këtë të hënë në Ferizaj në ambientet e Kuvendit të Komunës së Ferizajt është mbajtur tribunë shkencore në shënim të 110 vjetorit të Kuvendit të Ferizajt. Kjo ceremoni u organizua nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ndërkaq pjesë e shënimit të kësaj date, ishte Bujar Dugolli Dekan i Fakultetit Filozofik, profesor në Universitetin e Prishtinës, Liman Rushiti – historian, Skënder Lutfiu si dhe profesorë dhe studentë të Universitetit të Prishtinës.
Hapjen zyrtare të Tribunës Shkencore e bëri numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu, i cili ka theksuar se qytetërimi shqiptar, pati pothuaj gjatë tërë rrjedhës historike të ekzistimit e zhvillimit të tij, dy detyra të vështira: mbijetesën kulturore nacionale dhe shpërndarjen e mesazhit të lirisë në formën dhe përmbajtjen e saj më të virtytshme e më të natyrshme.
“Fundi i shekullit nëntëmbëdhjetë dhe fillimi i shek. njëzetë, qartësuan deri në pakthyeshmëri psherëtimat e fundit të Perandorisë Osmane, në çastet e saja të fundit para rënies. Në rrethana të tilla të komploteve botërore, në fushatën e krijimit të një rendi të ri botëror, bashkë me një konstruksion të ri të gjeopolitikës planetare, u organizuan shumë konferenca e kongrese ndërkombëtare, u lidhën shumë aleanca të fshehta e të hapura politike si dhe u nënshkruan shumë traktate kobzeza nga fuqitë e kohës. Në të gjitha këto projekte politike, pika e përbashkët ishte: marrëveshjet e njëpasnjëshme ndërkombëtare për zhbërjen e kulturës shqiptare, në favor të realizimit të apetiteve gjeopolitike të fuqive të kohës, nga Evropa dhe nga Azia, në favor edhe të satelitëve të tyre më të vegjël. Shqiptarët, të prirë nga fryma komb-emancipuese e Rilindësve të mëdhenj, me mençuri, urtësi, guxim e këmbëngulje u rreshtuan në pengim të realizimit të projekteve të padrejta dhe brutale të kohës”, ka thënë Kryetari Aliu, duke shtuar se me sakrifica të mëdha dhe me një vetëmohim të jashtëzakonshëm, ia dolën të ruajnë identitetin kulturor kombëtar, deri edhe në krijimin e një shteti të pavarur shqiptar, sado të cunguar territorialisht.
“Tubimi i Ferizajt, i organizuar këtu e 110 vjet më parë, ishte njëri ndër manifestimet kryesore të kombit shqiptar, në drejtim të mbrojtjes së identitetit, territorit e kulturës, nga rreziku i copëtimit territorial dhe tjetërsimit kulturor. Së paku 30 mijë burra shqiptarë, nga të gjitha viset shqiptare, u mblodhën në Ferizaj atëbotë, për t’i dhënë mesazhin botës se me çdo kusht do të mbroheshin vlerat e lirisë dhe territoret, nga ambiciet djallëzore për copëtim të mëtutjeshëm. Për ditë me radhë, Ferizaj ishte bërë sofra e bashkimit të shqiptarëve, rreth idesë së pakundërshtueshme të lirisë e shtet formimit. Jehona e vendimeve të këtij tubimi, tronditi tavolinat ndërkombëtare të marrëveshjeve antishqiptare, duke e detyruar madje edhe vet Portën e Lartë për ndryshime esenciale politike-administrative e juridike. I bindur që përfaqësuesit e shkencës së historiografisë, që sot do të na e rifreskojnë kujtesën dhe do të na japin edhe informacion të ri rreth peshës që kishte Tubimi i Ferizajt i korrikut të vitit 1908, dua vetëm të deklaroj që, edhe sot, ndjejmë nevojë të thellë që të motivohemi nga guximi, largpamësia, patriotizmi dhe këmbëngulja e liderëve shqiptarë të kohës, por edhe e mbarë popullit shqiptar të kohës, në betejën e vështirë të arritjes së lirisë e shtet ndërtimit”, është shprehur Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.
Kryetari Aliu, tutje është shprehur se Ferizaj, me tubimin e korrikut të vitit 1908, gjen një pjesë të rëndësishme të identitetit të tij historik. “ Siç është Kruja veçanërisht krenare për Skënderbeun, ose Vlora për Ismail Qemalin, Ferizaj është krenar që mbrojti betimin, besën dhe ushqeu me bukë dhjetëra mijëra luftëtarë shqiptarë, në periudhën, ndër më të ndjeshmet e historisë sonë.
“Tubimi i Ferizajt, jo rastësisht edhe quhet edhe pararoja e pavarësisë së shtetit shqiptar të 28 nëntorit të vitit 1912.Sot në Ferizaj, në 110 vjetorin e Tubimit të Madh, është e tërë Shqipëria e natyrshme. Në kujtimin tonë, nuk shuhet kurrë nderimi për luftëtarët, për nënat që ua dhanë bekimin dhe ua gatuan bukën, për heronjtë që u flijuan për emancipimin e botëkuptimit për lirinë dhe krijimin e shtetit. Edhe në periudha të mëvonshme, e deri në luftën e fundit në Kosovë, Maqedoni e Luginë të Preshevës, mijëra luftëtarë shqiptare mbajtën gjallë zjarrin e motivimit nga Tubimi i Ferizajt, duke u bërë yje të pavdekshme të shtetësisë së Kosovës, evoluimit të të drejtave të shqiptarëve në pjesë tjera si dhe duke e mbajtur të gjallë synimin e drejtë historik të popullit shqiptar, për integrime të plota brenda kombëtare, sipas porosisë së luftëtarëve të Tubimit të Ferizajt, të korrikut të vitit 1908”, ka përfunduar Kryetari i Komunës, Agim Aliu.
Gjatë shënimit të kësaj turbine shkencore me punimet e tyre për Kuvendit e Ferizajt të vitit 1908, kanë folur edhe profesor Liman Rushiti, Bujar Dugolli, si dhe janë lexuar kumtesat e profesorëve: Prof.Dr.sc. Sabit Syla, Dr.sc. Emine Arifi Bakkali, Dr.sc. Sylë Ukshini, PhD. Mentor Hasani, PhD Haxhi Ademi, PhD Skender Lutfiu, prof. Muharrem Shabani si dhe Mr. Ilir Bytyçi, punime këto që kanë të bëjnë me këtë datë historike për qytetin e Ferizajt dhe mbarë popullin shqiptar.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, për këtë ngjarje të shënuar historike viteve në vijim ka planifikuar të zgjeroj aktivitetin në shënim të kësaj date, duke i dhënë përfundimisht rëndësinë e duhur dhe mundësinë gjithë qytetarëve që të njoftohen më në hollësi për këtë ngjarje historike.
Përkitazi me këtë, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu do ta themeloj Muzeun e Kujtesës si një institucion ku do të arkivohet dhe promovohet memoria kolektive, kurse në veçanti për Kuvendin e Ferizajt, do të ngritët memoriali në vend hapësirën ku është zhvilluar kjo ngjarje historike si dhe të botohet monografia përkitazi me këtë ngjarje.
Punimet që u paraqitën gjatë tribunës shkencore janë: Dr.sc. Sabit Syla, “Kontributi i personaliteteve të shquara shqiptare në Kuvendin e Ferizajt”., Dr.sc. Emine Arifi-Bakalli, “Tubimi i Ferizajt 1908 element me rëndësi në transfomimin e sistemit politik në Perandorinë Osmane”. , Dr.sc. Bujar Dugolli, “Kuvendi i Ferizajt 1908 dhe reflektimi i tij në çështjen shqiptare” , Prof. dr. Liman Rushiti, “Kuvendi i Ferizajt dhe rëndësia e tij në histori”., Dr.sc. Sylë Ukshini “Kuvendi i Ferizajt në optikën e politikës austro-hungareze” , PhD. Mentor Hasani, “Kuvendi i Ferizajt në historiografinë shqiptare” , PhD. Haxhi Ademi “Ferizaj në fazën e fundit të Rilindjes Kombëtare (1908-1912)”,PhD. Skender Lutfiu, “Qëndrimi i pushtetit osman ndaj Kuvendit të Ferizajt”. , Ma. Ilir Bytyçi, “Proceset politike në Ferizaj dhe rrethinë në periudhën kohore 1873-1908” si dhe punimi nga prof. Muharrem Shabani për këtë ngjarje historike.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin dhjetëra pjesëmarrës nga bota akademike, politike, institucionet e sigurisë, artit dhe kulturës si dhe studentë.