Ne teatrin e qytetit “Adriana”, gjatë ditës së sotme është mbajtur mbledhje komemorative të organizuar nga Komuna e Ferizajt, në përkujtim të jetës dhe veprës së anëtarit të Kuvendit të Komunës së Ferizajt, që ndërroi jetë gjatë ditës së djeshme Ismet Vranovci.
Në këtë mbledhje numri një i qytetit të Ferizajt Agim Aliu, është të pranishmeve i është drejtuar me një fjalë rasti.
“Jemi mbledhur bashkë, në një çast të rëndë, që po shënon këtë fundvit. Jemi të gjithë të pikëlluar, të tronditur nga lajmi që ra si rrufe, se dje pasdite, lamtumirën na dha, kolegu ynë në Kuvendin e Komunës, ish drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, veprimtari shumëvjeçar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj, mbi të gjitha prindi i përkushtuar e qytetari i respektuar, bashkëqytetari ynë, bashkëveprimtari e bashkëudhëtari në agjendën e shtetndërtimit, Ismet Vranovci. Ishte e kobshme pasditja e djeshme, kur lajmi mori dhenë. Dhe atë, vetëm pak orë pasi i ndjeri u paraqit në foltoren e Kuvendit të Komunës, në seancën e parë të kësaj legjislature, për të thënë fjalën e tij, të fundit fjalë për fat të keq, për të mbrojtur e përfaqësuar zërin nga i cili mori besim, zërin e qytetarëve dhe grupin e tij kuvendor. Të gjithëve na shokoi, paarritshmëri ta pranojmë mosqenien e tij në mesin e të gjallëve, kur ai dukej fare mirë, energjik, i gatshëm dhe i përgatitur të bëj atë çfarë është zgjedhur, njërin nga të zgjedhurit e qytetarëve ferizajas”, tha Kryetari Aliu.
Të pranishmëve me një fjalë rasti i është drejtuar kryetari i LDK-së në Ferizaj, Muharrem Svarqa, i cili, ka shprehur ngushëllimet e tij familjes së të ndjerit. Në fjalën e tij, z. Svarqa bëri një përmbledhje të gjithë veprimtarisë të të ndjerit, duke spikatur profesionalizmin e tij, përkushtimin për t’i ndihmuar bashkëqytetarët, rolin e tij gjithnjë konstruktiv në pozicione të ndryshme politike-partiake e profesionale, vlera këto që paraqesin figurën dhe personalitetin e të ndjerit, anëtarit të Kuvendit të Komunës, ish drejtorit të Bujqësisë dhe Pylltarisë, kryeinspektorit e inspektorit, aktivistit e veprimtarit shumëvjeçar, Ismet Vranovci.
Ndërsa djali i të ndjerit Getuar Vranovci, ka falënderuar të gjithë të pranishmit që morën pjesë në këtë mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së babit të tij.
Ismet Vranovci ndërroi jetë pas një sulmi kardiak. Ismeti la pas veten gruan dhe katër fëmijë.