Në sallën e Kuvendit të Komunës në Ferizajt sot u mbajt një mbledhje komemorative, me rastin e ndarjes nga jeta të veteranit të arsimit dhe veprimtarit Sabri Berisha.
Kryetari i Komunës Muharrem Svarqa, i ngushëlloi të pranishmit, duke kujtuar aspekte nga veprimtaria atdhetare, arsimore e profesionale e Sabri Berishës.
“Ferizajasit do ta kujtojnë Sabri Berishën si një burrë që qëndroi vertikalisht në kohë të vështira dhe si një njeri që dha kontribut të çmuar edhe në kohë të mira. Do ta kujtojnë sidomos për kontributin e dhënë mbijetesës, por edhe ndërtimit e konsolidimit të arsimit shqip në Ferizaj. Në vitet ’90, kur shqiptarët e Kosovës, e bashkë me ta edhe shkolla shqipe ndodheshin në vështirësitë më të mëdha, Sabriu e mori timonin për drejtimin e shkollës më të madhe në Kosovë, “Gjon Serreqi”. Ai jo vetëm që e drejtoi me sukses, por krijoi rend, disiplinë dhe kushte maksimale pune, për aq sa lejonin rrethanat e atëhershme. Në kuadër të shkollës “Gjon Serreqi”, për herë të parë e hapi shkollën e muzikës, duke u krijuar perspektiva artistike fëmijëve dhe të rinjve të Ferizajt. Ferizajasit do ta kujtojnë Sabri Berishën si një aktivist të përkushtuar për çështjen kombëtare dhe për avancimin e vlerave shoqërore. Ai dha i një kontribut të çmuar, duke qenë pjesë aktive e të gjitha proceseve politike e shoqërore, në rrethanat më të vështira, nëpër të cilat kaloi populli ynë”, tha ndër të tjera kryetari Svarqa.
Ndërsa drejtori i shkollës “Gjon Serreqi”, Milazim Dërguti, tha se fjalët janë të pafuqishme për të shprehur kontributin e jashtëzakonshëm të Sabri Berishës për arsimin ferizajas përgjithësisht dhe veçanërisht për shkollën që e drejtoi për disa vite. Dërguti theksoi se Berisha ka lënë gjurmë për gjithpërfshirjen e nxënësve, duke themeluar për herë të parë klasa me fëmijë me nevoja të veçanta, për udhëheqjen e shkollës në një kohë kritike, si dhe për hapjen e qendrës didaktike, me synim avancimin dhe profesionalizimin e arsimit.
Në emër të familjes, të pranishmit në komemoracion i falënderoi Arbër Berisha, i biri i Sabriut.