Ferizaj.26.03.2018.Gjatë ditës së sotme, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka mbajtur mbledhjen e parë të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) me ç ‘rast u diskutua për sigurinë e përgjithshme në Komunën e Ferizajt. Në këtë mekanizëm mjaft të rëndësishëm për sigurinë në nivel lokal janë të përfaqësuara të gjitha institucionet relevante të sigurisë si dhe komunitete të ndryshme fetare e etnike.
Në mbledhjen e parë të KKSB-së, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu shprehu gatishmërinë e institucionit të Komunës për të bashkëvepruar me të gjithë akterët relevant lokal me qëllim të rritjes së nivelit të sigurisë në komunën tonë. Ndër të tjera, ai shtoi: “Gjatë 100 ditëve të qeverisjes lokale, kemi ndërmarr një varg veprimesh që kanë të bëjnë me rritjen e sigurisë në përgjithësi në komunën tonë. Ndonëse jemi ballafaquar me telashe të shumta në planin financiar dhe trashëgimit të procesit të pa përmbyllur për mirëmbajtjen e rrugëve nga reshjet e borës, kemi arritur të garantojmë lëvizjen e lirë, pa pengesa të qytetarëve, po kështu, kemi ndërmarr një varg vendimesh që kanë të bëjnë me një plan të ri të organizimit të komunikacionit duke ndryshuar kahjet e disa rrugëve në zonën qendër, me qëllim të rritjes së sigurisë për produktet që ofrohen në treg, ditëve të fundit inspektorati komunal ka konfiskuar dhe asgjësuar një sasi të madhe mishi dhe nënprodukte të mishit të prishura, dëmtuara apo skaduara. Ne vazhdimisht po bëjmë përpjekje për tejkalimin e rrezikut që kanoset nga qentë endacak, deri më tani janë trajtuar 547 qen endacak. Veprime të koordinuara edhe me akterë të tjerë kemi ndërmarr edhe në fusha të tjera, si p.sh. në eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave, heqjen e shtadeve (tezgave), panove reklamuese, menaxhimin e situatës me vërshime përmes hartimit të një plani afatmesëm dhe afatgjatë për të shmangur vërshime në disa zona të Komunës së Ferizajt si dhe veprime të tjera të cilat kanë rëndësi për sigurinë e qytetarëve në veçanti dhe sigurinë e përgjithshme në nivel lokal” ka theksuar kryetari Agim Aliu.
Në anën tjetër, Komandanti i Stacionit Policor në Ferizaj, Imer Kaqara u shpreh se gjendja e sigurisë në Ferizaj është stabile dhe e qetë. “Gjendja e sigurisë në Ferizaj është stabile dhe e qetë. Gjatë kësaj kohe nuk kemi pasur ndonjë rast për t’u veçuar e që cenon sigurinë e përgjithshme. Ekipet tona janë gjithmonë dhe të gatshëm në terren. Kërkojmë mbështetjen edhe nga qytetarët që të denoncojnë rastet kur hasin në dukuri negative” shtoi majori Kaqara.
Në këtë mbledhje u diskutua gjerësisht për gjendjen e sigurisë në shkolla dhe masat që do të merren për tejkalimin e kësaj situate. Kryetari i Komunës së Ferizajt, i falënderoi për pjesëmarrjen gjithë anëtarët e KKBS-së duke uruar bashkëpunim të frytshëm e rezultate pozitive nga ky mekanizëm mjaft i rëndësishëm për rrjedhat e sigurisë në nivel lokal.