Ferizaj 9 gusht 2025 – Në kuadër të Ditëve të Mërgatës, është hapur “Ekspozita e fotografisë” e fotoreporterit të njohur Hazir Reka, e cila sjell për publikun një rrëfim të fuqishëm vizual të historisë së Kosovës. Ekspozita përmban fotografi që dokumentojnë periudha kyçe — që nga përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe shtetformim, deri te ndërhyrja ushtarake e NATO-s dhe çlirimi i vendit nga pushtimi serb.

Në hapjen e ekspozitës qenë të pranishëm Kryetari i Komunës së Ferizajt z. Agim Aliu, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës z.Elmi Reçica, drejtori i Drejtorisë së Arsimit z. Afrim Llabjani, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit z. Arbër Bytyqi si dhe zyrtarë të tjerë komunal të Ferizajt.
Ekspozita përfshin fotografi autentike të ngjarjeve më të rëndësishme që kanë ndodhur para luftës, gjatë saj dhe në periudhën pas çlirimit, duke ofruar një narrativë të pasur historike përmes imazheve. Çdo vit historik është përfaqësuar me një ngjarje përkatëse, si ngjarjet e vitit 1990 apo Masakra e Reçakut, të dokumentuara nga vetë autori.

Në një intervistë për FerizajPress, Hazir Reka theksoi:
“Kjo ekspozitë është shumë e veçantë sepse fotografitë përmbajnë vitet historike që kanë ndodhur në Kosovë – para luftës, gjatë luftës dhe deri tek ndërhyrja e NATO-s. Ideja ka qenë që ta organizojmë pikërisht në këtë kohë, kur ka pjesëmarrje të madhe të të rinjve nga mërgata, të lindur pas luftës, të cilët megjithatë tregojnë interes të madh për të njohur më mirë të kaluarën tonë.”
Kjo është ekspozita e dytë personale e tij e mbajtur brenda vendit, ndërsa një tjetër ekspozitë ndërkombëtare pritet të mbahet në Gjenevë, Zvicër me pjesëmarrje nga pesë shtete të ndryshme të botës përfshi këtu edhe autorin z. Hazer Reka.
Ekspozita është hapur për publikun dhe pritet të tërheqë vëmendjen e vizitorëve, sidomos të rinjve që dëshirojnë të njihen më nga afër me historinë e afërt të Kosovës përmes objektivit të një fotografi që ka dokumentuar gjithçka nga terreni.
Ndërsa sa i përket biografisë së autorit
Hazir Reka është një nga fotoreporterët më të njohur shqiptarë, me një karrierë të gjatë në dokumentimin e historisë së Kosovës përmes fotografisë. Që nga viti 1998, ai është fotograf i agjencisë ndërkombëtare Reuters, për të cilën ka dokumentuar luftën në Kosovë, nga Prekazi deri te hyrja e forcave të KFOR-it. Gjatë kësaj periudhe, ai ka ndjekur nga afër vitet e dhimbjes, vuajtjeve dhe shkeljes së lirive të qytetarëve të Kosovës — dhe vazhdon të mbulojë zhvillimet aktuale në vend për të njëjtën agjenci.




