05,08,2025

Mbahet edicioni i 7-të i Panairit të Librit në Ferizaj

Must Read

Ferizaj, 5 gusht 2025 – Në kuadër të aktiviteteve kulturore të “Ditëve të Mërgatës”, sot në Ferizaj ka nisur edicioni i 7-të i “Panairit të Librit”, i cili do të zgjasë deri më 8 gusht. Panairi po zhvillohet në bulevardin e qytetit dhe organizohet nga Klubi Letrar “De Rada” në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Komunës së Ferizajt.

Në hapje të panairit, organizatorja znj. Zyrafete Shala tha se edhe pse këtë vit nuk kanë pasur përkrahje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe mbështetja nga Komuna ka qenë e kufizuar prap se prap ky organizim është bërë i mundur që të realizohet. Sipas saj, ky panair tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme në Ferizaj dhe mbahet në fillim të muajit gusht për arsye që kjo kohë karakterizohet me ardhjen e bashkëatdhetarëve të cilët shprehin interesim dhe kuriozitet që të blejnë libra të botuara në gjuhën shqipe.

“Në këtë edicion kemi 27 shtëpi botuese nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe libra-shitës që nuk janë botues, por që merren me shitjen e librave,” tha Shala. Ajo theksoi se ka interesim të madh nga qytetarët për titujt e ofruar, veçanërisht për librat me përmbajtje motivuese.

Duke folur për rëndësinë e leximit, Shala theksoi nevojën për më shumë mbështetje institucionale dhe për ngritjen e vetëdijes qytetare, sidomos te të rinjtë. Ajo theksoi se libri është një investim afatgjatë në kulturë, familje dhe shoqëri.

“Edhe vetë prindërit sot lexojnë shumë pak, prandaj është e padrejtë të presim nga të rinjtë që të kenë kulturë leximi kur nuk e shohin atë të kultivohet në familje. Shpesh prindërit investojnë në çdo gjë për të ndërtuar një shtëpi me të gjitha kushtet moderne, por harrojnë të krijojnë një kënd të vogël të dedikuar librit dhe dijes” u shpreh ajo, duke shtuar se në kohë krizash dhe ndryshimesh të mëdha shoqërore, kthimi te libri është më i nevojshëm se kurrë.

Panairi mbetet i hapur për të gjithë dashamirët e librit deri më 8 gusht dhe ofron mundësi për t’u njohur me botime të reja nga autorë shqiptarë por, edhe me botime të ndryshme nga autorë botëror e ndërkombëtar./ Për FerizajPress: Aurorë Zymberi

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Pas reshjeve të breshërit në rajonin e Ferizajt, Drejtorët komunal vizitojnë bizneset e dëmtuara

Ferizaj, 5 gusht 2025 – Pas reshjeve të fuqishme të breshërit që goditën rajonin e Ferizajt një ditë më...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img